Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Pse 13 nëntori 2026 u quajt fundi i botës – historia e parashikimit

Pse 13 nëntori 2026 u quajt fundi i botës – historia e parashikimit
Foto: albeu.com

Një studim i botuar 66 vite më parë është rikthyer në vëmendje në rrjetet sociale për shkak të datës që përmendte: 13 nëntor 2026. Sipas modelit të paraqitur në atë kohë, rritja e pakontrolluar e popullsisë botërore do ta çonte njerëzimin në një pikë kritike.

Studimi dhe autorët

Studimi u botua në nëntor 1960 në revistën shkencore “Science”. Autorë të tij ishin fizikani dhe kibernetisti Heinz von Foerster, së bashku me studiuesit Patricia Mora dhe Lawrence Amiot, të Universitetit të Illinoisit.

Nën titullin “Doomsday: Friday, 13 November, A.D. 2026” (Dita e Gjykimit: E premte, 13 nëntor 2026), ata shqyrtuan të dhënat historike për popullsinë botërore, duke nisur nga viti 400 para Krishtit deri në vitin 1958.

Modeli matematikor dhe parashikimi

Llogaritjet e tyre tregonin se numri i banorëve të Tokës po shtohej gjithnjë e më shpejt. Nëse ky ritëm do të vazhdonte i pandryshuar, modeli matematikor e vendoste më 13 nëntor 2026 të ashtuquajturin singularitet: një pikë ku popullsia, teorikisht, do të bëhej e pafundme. Një gjendje e tillë do të ishte e papërballueshme për shkak të hapësirës dhe burimeve natyrore të kufizuara.

Përzgjedhja e datës kishte edhe një domethënie simbolike. Më 13 nëntor von Foerster kishte ditëlindjen, ndërsa studiuesit vunë re se kjo datë në vitin 2026 do të binte të premten. Në kulturën anglosaksone, ky kombinim lidhet me tersin.

Megjithëse titulli tingëllonte alarmues, autorët nuk po parashikonin një katastrofë reale apo zhdukjen fizike të njerëzimit. Mesazhi i studimit ishte se rritja demografike nuk mund të vazhdojë pa kufi.

Çfarë ndodhi në të vërtetë

Zhvillimet e mëvonshme demografike nuk ndoqën prirjen mbi të cilën mbështetej parashikimi. Duke filluar nga vitet 1970, ritmi i shtimit të popullsisë botërore u ngadalësua ndjeshëm dhe në shumë vende numri i lindjeve ra.

Popullsia e botës vlerësohet aktualisht në rreth 8,2 miliardë banorë. Projeksionet e Kombeve të Bashkuara parashikojnë që ajo të rritet edhe për disa dekada, të arrijë kulmin prej rreth 10,3 miliardë banorësh në mesin e viteve 2080 dhe më pas të nisë një rënie graduale.

Mësimi i studimit

Pra, 13 nëntori 2026 nuk është fundi i njerëzimit. Parashikimi i vitit 1960 tregon se një model matematikor mund të çojë në përfundime të gabuara kur supozon se e njëjta prirje do të vazhdojë përgjithmonë, pa llogaritur ndryshimet shoqërore.

Pyetja e ngritur nga studiuesit më shumë se gjashtë dekada më parë, megjithatë, mbetet e rëndësishme: si mund të ruhet ekuilibri mes rritjes së popullsisë, burimeve natyrore dhe qëndrueshmërisë së planetit?

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha