Shqipëria ka fituar një avantazh të rëndësishëm në rrugën drejt “EURO 2028”, pasi e mbylli Grupin C1 të “Nations League” në vendin e parë, me 15 pikë, 5 fitore dhe 1 humbje, duke siguruar edhe ngjitjen në Ligën B.
Ka një detaj shumë të rëndësishëm: fitorja e grupit në “Nations League” i jep Shqipërisë një rrugë alternative drejt Europianit, në rast se nuk kualifikohet drejtpërdrejt. Ja si funksionon.
Çfarë përfiton Shqipëria nga vendi i parë?
Sipas renditjes së UEFA-s, Shqipëria është fituese e Grupit C1 me 15 pikë, përpara Bjellorusisë (10), Finlandës (10) dhe San Marinos (0). Kjo do të thotë se Shqipëria bëhet një nga fitueset e grupeve të Ligës C të “Nations League” 2026/27.
Sipas rregullores së UEFA-s, fituesit e grupeve të Ligave A, B dhe C, që nuk sigurojnë kualifikimin në Europian dhe nuk përfitojnë një vend në “play-off” përmes kualifikueseve, mund të marrin pjesë në fazën shtesë të marsit 2028. Pra, Shqipëria ka siguruar një mundësi për të luftuar për një biletë drejt “EURO 2028” edhe përmes “Nations League”.
Cila është rruga e parë? Kualifikimi direkt
Në dhjetor 2026 do të hidhet shorti për kualifikueset e Europianit. Do të krijohen 12 grupe, gjashtë me 4 skuadra dhe gjashtë me 5 skuadra. Shqipëria do të luajë në një prej këtyre grupeve, me ndeshje vajtje-ardhje, nga marsi deri në nëntor 2027.
Rregullorja parashikon: 12 fituesit e grupeve kualifikohen direkt. 8 vendet e dyta më të mira kualifikohen gjithashtu direkt. Vendet e dyta të mbetura mund të shkojnë në “play-off”. Kjo është rruga që duhet të synojë Shqipëria: vendin e parë ose një nga tetë vendet e dyta më të mira.
Rruga e dytë? “Play off”-i përmes “Nations League”
Këtu qëndron rëndësia e triumfit në grupin e “Nations League”. Nëse Shqipëria nuk kualifikohet drejtpërdrejt dhe nuk siguron “play off”-in përmes renditjes në grupin kualifikues, mund të përfitojë nga statusi i fitueses së Grupit C1. Gjithsesi, duhet sqaruar një element: Shqipëria nuk e ka të garantuar automatikisht pjesëmarrjen në “play-off”.
UEFA do të përzgjedhë fituesit e grupeve të “Nations League” sipas renditjes së përgjithshme të kompeticionit, duke filluar nga skuadrat më të renditura në Ligat A, B dhe C. Shqipëria ka përfunduar e dyta mes 4 fituesve të grupeve të Ligës C:
Kombëtarja
Pikët
Mali i Zi
16
Shqipëria
15
Islanda
14
Sllovakia
12
Kjo e vendos Shqipërinë në vendin e 34-t në renditjen e përgjithshme të përkohshme të “Nations League”, pra në vendin e dytë mes skuadrave të Ligës C. Ky pozicion është i rëndësishëm, sepse Shqipëria ka përparësi ndaj Islandës dhe Sllovakisë në përzgjedhjen e mundshme për “play-off”. Megjithatë, përzgjedhja varet edhe nga numri i vendeve të disponueshme dhe nga skuadrat e Ligave A dhe B që do të kenë nevojë për këtë mundësi.
Si do të zhvillohet “play off”-i?
Në varësi të rezultateve të katër vendeve organizatore (Angli, Skoci, Uells dhe Irlandë), numri i biletave që do të vendosen përmes “play off”-it mund të jetë dy, tre ose katër. Në këtë fazë mund të marrin pjesë 8 ose 12 kombëtare, mes vendeve të dyta të mbetura të kualifikueseve dhe fituesve të grupeve të “Nations League”. Ndeshjet do të zhvillohen në mars 2028.
Ndarja e vazove për shortin
Kualifikueset e “Euro 2028” janë gati. Shorti do të hidhet të dielën, më 6 dhjetor, në Belfast. Ja ndarja përfundimtare e vazove:
Vazoja 1: Spanja, Portugalia, Franca, Anglia, Holanda, Italia, Greqia, Belgjika, Gjermania, Danimarka, Norvegjia, Kroacia
Vazoja 2: Zvicra, Turqia, Serbia, Uellsi, Suedia, Austria, Hungaria, Bosnja, Irlanda e Veriut, Çekia, Sllovenia, Irlanda
Vazoja 3: Rumania, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovakia, Gjeorgjia, Polonia, Ukraina, Izraeli, Shqipëria, Islanda, Skocia, Kosova
Vazoja 4: Armenia, Moldavia, Kazakistani, Letonia, San Marino, Finlanda, Qiproja, Ishujt Faroe, Bullgaria, Luksemburgu, Bjellorusia, Estonia
Vazoja 5: Malta, Azerbajxhani, Lituania, Andorra, Gjibraltari, Lihtenshtajni
Burimi: telesport.al










