Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, dhe qendërmbrojtësi Ardian Ismajli u paraqitën pasditen e sotme në konferencën zyrtare për mediat, disa ditë përpara ndeshjes ndaj Finlandës, që do të luhet nesër në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.
Ardian Ismajli tha se Kombëtarja është përgatitur shumë mirë për këtë sfidë dhe se qëllimi është të ruajë vendin e parë në grup. Sipas tij, rezultati varet nga vetë skuadra. Ai vlerësoi mbështetjen e tifozëve, theksoi rëndësinë e shmangies së gabimeve dhe tha se lojtarët duhet të japin maksimumin në fushë për të sjellë fitoren dhe për t’i bërë krenarë tifozët shqiptarë.
Ndeshja e radhës dhe ndeshja e parë me Finlandën
Ndeshja e radhës? – Jemi përgatitur jashtëzakonisht mirë. E dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe kemi detyrimin për vendin e parë. Jemi ekipi më cilësor i grupit tonë, por kjo duhet ta dëshmojmë në fushë. Në ndeshjen e parë në Finlandë, besoj se, pavarësisht kartonit të kuq, kemi luajtur ndoshta ndeshjen më të mirë të viteve të fundit. Episodet e kanë ndikuar rezultatin, dhe shpresojmë ta mbyllim ndeshjen ashtu si e kemi filluar.
Ndeshja e parë me Finlandën? – Dy goditje standarde, dy gola, të dyja nga goditjet e këndit. Besoj se nuk patëm fat, sepse zhvilluam një paraqitje shumë të mirë, edhe pse luajtëm me një lojtar më pak. Patëm dy raste për ta përmbysur ndeshjen, por fati nuk ishte me ne.
Duhet të jemi më të kujdesshëm, sidomos tani që dimë se kundërshtari ka goditje standarde shumë të mira. Duhet të shmangim sa më shumë faullet pranë zonës sonë, por kjo varet edhe nga kundërshtari, sepse ndonjëherë të detyron të bësh faulle.
Presioni para tifozëve dhe gabimet
Presioni në “Air Albania”? – Nuk besoj se djemtë kanë panik apo stres kur luajnë para tifozëve tanë. Ata janë lojtari ynë i dymbëdhjetë. Kemi pasur gjithmonë mbështetje të madhe, sepse tifozët na kanë përkrahur jashtëzakonisht shumë. Ata kanë qenë pozitivë edhe kur nuk kemi qenë në formën tonë më të mirë, dhe duam t’ua shpërblejmë me fitore.
Ndonjëherë më e rëndësishmja është fitorja. Nuk ka rëndësi si luan, sepse fitorja i mbyll të gjitha problemet. Por besoj se çdo lojtar që luan këtu ndjen diçka të veçantë, sepse kemi arritur gjithmonë rezultate fantastike.
Gabimet individuale ndaj San Marinos? – Gabimet ndodhin, futbolli pa gabime nuk ekziston, por shpresojmë t’i shmangim sa më shumë gabimet e vogla që ndonjëherë na kushtojnë. Duhet të jemi më të qartë në veprimet tona.
Besoj se edhe trajneri, bashkë me stafin, ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, sidomos pas katër ndeshjeve që zhvilluam një muaj më parë. Ata kanë analizuar gjithçka dhe na i kanë treguar përmes videove dhe gjatë stërvitjeve. Shpresojmë ta zbatojmë atë që kërkon trajneri, dhe kjo të sjellë rezultat.
Skema e Maran dhe përgjegjësia
Si ndikon skema e Maran në repartin defensiv? – Sistemi i mëparshëm ishte shumë defanziv dhe, mund të themi, edhe shumë statik. Kërkohej që secili lojtar të qëndronte në pozicionin e vet dhe të respektonte detyrat. Ai lloj futbolli nuk ekziston më. Futbolli modern kërkon lëvizje, ashtu si kërkon trajneri aktual, Maran.
Kjo na ndihmon shumë, sidomos nëse arrijmë të ushtrojmë presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit, sepse mund ta vendosim në vështirësi dhe ta detyrojmë të bëjë gabime. Jemi një ekip që mund të luajë një kundër një gjatë gjithë kohës dhe nuk kemi probleme me këtë aspekt. Trajneri i ka parë cilësitë tona pozitive dhe ka vendosur të luajmë kështu.
Nëse qëndrojmë shumë prapa, kundërshtari ka më shumë mundësi të na rrezikojë me krosime dhe topa pas shpine të mbrojtjes, gjë që e bën lojën tonë më të vështirë.
Përgjegjësia dhe pesha e fanellës? – Është një përgjegjësi shumë e madhe të veshësh fanellën e Kombëtares shqiptare. Sidomos kur luan për Shqipërinë, askush nuk duhet të hezitojë të japë maksimumin për të përfaqësuar vendin e tij.
E kam thënë edhe më parë: nuk ka më ekipe të vogla në futbollin e sotëm. Edhe pse skuadrat që përmenden janë në pozita të ulëta në renditje, çdo Kombëtare luan futboll dhe duhet respektuar.
Shpresoj që tifozët të vazhdojnë t’na mbështesin. Para tre vitesh kemi luajtur në Ishujt Faroe, ku kishim rreth 500 tifozë shqiptarë, gjë e mrekullueshme duke pasur parasysh distancën prej afërsisht 5.000 kilometrash. Ata nuk mungojnë kurrë.
Pika jonë më e fortë është mbështetja e tifozëve. Kjo varet sigurisht edhe nga rezultatet, por edhe kur rezultatet nuk janë ato që dëshirojmë, ata na kanë përkrahur gjithmonë dhe do ta bëjnë këtë edhe më tej. Ajo që na takon neve është të dalim në fushë, të japim shpirtin dhe t’i bëjmë krenarë tifozët. Pastaj, sigurisht, ajo që ka më shumë rëndësi është rezultati.
Burimi: telesport.al










