TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli, deklaroi se skuadra është përgatitur shumë mirë për ndeshjen ndaj Finlandës, që do të luhet nesër në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.
Në konferencën e sotme për mediet, Ismajli u shpreh se Shqipëria ka cilësi për të qenë në krye të grupit, por kjo duhet të dëshmohet në fushën e lojës.
Përgatitja dhe objektivi për vendin e parë
“Jemi përgatitur jashtëzakonisht mirë. E dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Kemi detyrimin për vendin e parë. Jemi ekipi më cilësor i grupit tonë, por duhet ta dëshmojmë në fushë. Është e rëndësishme që të jemi në vendin e parë, gjithçka varet nga ne dhe shpresojmë ta mbarojmë ashtu siç e kemi filluar”, deklaroi mbrojtësi.
Duke kujtuar përballjen e parë me Finlandën, Ismajli tha se Shqipëria zhvilloi një paraqitje të mirë, pavarësisht se luajti me një futbollist më pak, por u ndëshkua nga dy goditje standarde.
Mbështetja e tifozëve dhe ndryshimet taktike
Sa i përket mbështetjes së tifozëve në “Air Albania”, mbrojtësi tha se ajo përbën një motivim të rëndësishëm për lojtarët dhe se Kombëtarja dëshiron t’ua shpërblejë besimin me fitore.
“Tifozët kanë qenë gjithmonë pozitivë, edhe kur nuk kemi qenë në momentet tona më të mira. Na kanë mbështetur jashtëzakonisht shumë dhe në fund duam t’ua shpërblejmë me fitore”, u shpreh Ismajli.
Mbrojtësi vlerësoi punën e trajnerit Rolando Maran dhe stafit teknik, të cilët, sipas tij, kanë analizuar me kujdes ndeshjet e fundit dhe kanë punuar për korrigjimin e problematikave.
Duke folur për ndryshimet në skemën e lojës, Ismajli theksoi se futbolli modern kërkon më shumë lëvizje dhe presion ndaj kundërshtarit, ndryshe nga sistemi i mëparshëm, që sipas tij ishte më statik dhe më mbrojtës.
Përgjegjësia para tifozëve
Ismajli nënvizoi përgjegjësinë që mbart përfaqësimi i Shqipërisë dhe rëndësinë e mbështetjes së tifozëve, të cilët kanë ndjekur Kombëtaren edhe në transfertat më të largëta.
“Ajo që na takon neve është të dalim në fushë, të japim shpirtin dhe të bëjmë krenarë tifozët. Pastaj, sigurisht, ajo që ka më shumë rëndësi është rezultati”, përfundoi Ismajli.
/e.i/r.e/a.f/
Burimi: ata.gov.al










