Pas javës së 11-të të Abissnet Superiore, Egnatia ka arritur të krijojë një distancë të konsiderueshme nga ndjekësit, duke u pozicionuar me 7 pikë përpara Teutës, e cila është në vendin e dytë. Rrogozhinasit regjistruan fitoren e tretë radhazi në kampionat, pasi triumfuan 5-1 në shtëpi ndaj Vorës.
Skuadra e Nevil Dedes shkoi në avantazh në pjesën e parë me golin e Kryeziut. Në pjesën e dytë, Adjessa, Fernando, Kasa dhe Albanesse e konsoliduan suksesin dhe siguruan tri pikët për Egnatinë. Për Vorën, Karrica shënoi golin e barazimit të përkohshëm.
Kampionët në fuqi kryesojnë renditjen me 27 pikë, të ndjekur nga Teuta me 20 pikë. Durrsakët u mposhtën në transfertë nga Tirana, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”. Bardheblutë morën maksimumin e pikëve falë golit të Dacit në minutat e fundit të takimit. Me këtë fitore, kryeqytetasit ngjiten në vendin e katërt të renditjes, me 15 pikë.
Ndërkohë, Skënderbeu vijon serinë pozitive dhe regjistroi ndeshjen e pestë radhazi pa humbje në kampionat. Korçarët fituan 2-0 ndaj Dinamo City, me golat e shënuara në pjesën e dytë nga Nassr, nga pika e bardhë, dhe Bismark. Dinamovitët humbin terren në garën për kreun dhe mbeten në vendin e tretë me 17 pikë, ndërsa Skënderbeu ngjitet në vendin e pestë me 14 pikë.
Fitore në këtë javë regjistruan edhe Partizani dhe Vllaznia. Shkodranët mposhtën 1-0 Elbasanin, falë golit të të riut Sokol Uldedaj, ndërsa Partizani mori tri pikë të rëndësishme në transfertën e Laçit, me golin e Spahiut nga pika e bardhë e penalltisë.
Gara në pjesën e poshtme të renditjes mbetet mjaft e ngushtë. Elbasani dhe Skënderbeu kanë nga 14 pikë, Vora renditet e shtata me 13 pikë, e ndjekur nga Vllaznia me 12, Laçi me 11 dhe Partizani në vendin e fundit me 10 pikë.

Abissnet Superiore do të rikthehet pas përfundimit të pushimit të kampionatit për shkak të angazhimeve të kombëtareve.
Burimi: kohajone.com










