Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Lulja, këneta dhe paradoksi i autokratit

Lulja, këneta dhe paradoksi i autokratit
Foto: shqiptarja.com

Lulja, këneta dhe paradoksi i ‘autokratit’

Të drejtosh një vend nuk do të thotë të lëvizësh mbi një tabelë shahu, ku figurat binden dhe çdo pasojë mund të parashikohet. Do të thotë të veprosh mes interesave që përplasen, institucioneve që rezistojnë, njerëzve që të mbështesin dhe të tjerëve që presin gabimin tënd të radhës.

«Gjendje e jashtëzakonshme.» «Narkodiktator i Tiranës.» «Krimministri.» «Armiku më i egër i shqiptarëve.» «Ramaduro.» «Rama në burg!» [1–4]

Këto janë disa nga fjalët dhe thirrjet që përdoren sot nga një pjesë e opozitës dhe e mediave kur flasin për Shqipërinë dhe kryeministrin e saj. Një vend në prag të greminës; një pushtet që paraqitet si burimi i çdo të keqeje; për disa, zgjidhja: largimi i Edi Ramës, madje edhe burgosja e tij.

Shkohet edhe më tej: të shtrosh pyetjen se kush mund ta zëvendësojë Ramën do të thotë të jesh «skllav i narkodiktatorit». [5] Një mënyrë interesante për të mbrojtur lirinë: të kërkohet largimi i kryeministrit, por të damkoset ai që pyet se çfarë vjen më pas.

Ndërkohë, e njëjta Shqipëri ka përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ekonomia e saj është rritur. [6–8] Korrupsioni dhe akuzat për dhunë policore kërkojnë hetim e përgjegjësi. Por si shpjegohet që në disa studio përparimi i vendit është mysafiri i padëshiruar, që duhet nxjerrë nga dera përpara se t’ua prishë mbrëmjen profetëve të rrënimit?

A po flasim për të njëjtën Shqipëri, apo çdo mbrëmje na paraqitet vetëm ajo pjesë e saj që i përshtatet përfundimit të vendosur në skenë?

Negociatat me BE-në dhe ç’thotë raporti

Sot Shqipëria i ka hapur të 33 kapitujt e negociatave me BE-në dhe ka mbyllur përkohësisht katër prej tyre. Në raportin e nëntorit 2026, Komisioni Evropian vlerëson përparimin e vendit dhe e konsideron ambicioz, por të arritshëm, objektivin për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027.

Ky lajm ka një «defekt» të pafalshëm: nuk përputhet me tablonë e katastrofës që disa banakë na shesin çdo mbrëmje. [6, 7]

Autokracia prodhon regres: ajo përqendron pushtetin, dobëson institucionet dhe kufizon mundësinë e qytetarëve për ta kontrolluar atë. Pasoja ndihet edhe në ekonomi: kur ligji i nënshtrohet interesit të pushtetit dhe privilegji zë vendin e konkurrencës, burimet publike përdoren për një pakicë dhe zhvillimi i vendit dëmtohet.

Prandaj, ata që e shpallin Shqipërinë «autokraci» duhet të përballen me gjithë bilancin: ekonominë në rritje, SPAK-un që heton edhe zyrtarë të qeverisë dhe përparimin drejt BE-së. Këto arritje nuk i zhdukin problemet e demokracisë, por e bëjnë etiketimin të pamjaftueshëm si argument.

Përparimi drejt Evropës nuk e bën një qeveri të pagabueshme dhe as e përjashton mundësinë e përqendrimit të pushtetit. Vetë Bashkimi Evropian ngre shqetësime për mbikëqyrjen parlamentare, konsultimin publik, korrupsionin dhe transparencën e financimit të medias. Por pikërisht për këtë arsye, fjala «autokrat» duhet mbështetur me analiza dhe fakte, jo të përdoret si një vulë që zëvendëson çdo analizë. [9]

Ekonomia: rritja dhe realiteti

Edhe ekonomia paraqet një realitet më të ndërlikuar sesa tablo e një vendi që po shembet. Sipas Bankës Botërore, ekonomia shqiptare u rrit me 3,7% në gjysmën e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së ka rënë. Kjo nuk do të thotë se çdo familje e ndien njëjtë rritjen, se çmimet nuk rëndojnë apo se emigrimi nuk mbetet një plagë. Por do të thotë se progresi ekonomik ekziston dhe nuk mund të mohohet vetëm sepse nuk prodhon titullin e dëshiruar. [8]

Korrupsioni dhe SPAK-u

Rastet e korrupsionit janë një nga akuzat më të rënda që i drejtohen qeverisë së Edi Ramës. Ato nuk mund të kalohen në heshtje dhe as të trajtohen si shpikje të opozitës. Kur një zyrtar i lartë hetohet apo dënohet, përveç çështjes së përgjegjësisë së tij individuale, lind edhe pyetja për përgjegjësinë politike të atyre që e kanë zgjedhur dhe i kanë besuar detyrën.

Por në këtë bilanc duhet të vendoset edhe një fakt tjetër: SPAK-u u ngrit gjatë qeverisjes së Ramës, si pjesë e reformës në drejtësi, ndryshimet kushtetuese të së cilës u miratuan unanimisht nga parlamenti në vitin 2016, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Sot ky institucion heton edhe zyrtarë të lartë. Komisioni Evropian ka vlerësuar pavarësinë dhe rezultatet e tij, duke theksuar njëkohësisht se korrupsioni mbetet një sfidë reale. [9, 10]

Është një zhvillim që nuk duhet zhdukur nga rrëfimi politik. Nëse ekzistenca e rasteve korruptive përdoret për të gjykuar qeverisjen, edhe krijimi dhe funksionimi i një strukture që i heton ato duhet të zërë vend në të njëjtin gjykim. Kjo është një meritë që duhet t’i njihet edhe qeverisjes së Ramës, pa e çliruar atë nga përgjegjësia politike për korrupsionin. Ka këtu edhe një lloj paradoksi politik: qeverisja e PS-së kontribuoi në ngritjen e një institucioni të pavarur që sot heton edhe zyrtarë të lartë të saj. Kjo nuk është meritë e vogël dhe as guxim i paktë.

Treguesit ekonomikë kundërshtojnë tablonë e një vendi që paraqitet çdo mbrëmje në prag të shembjes. Por ata nuk matin dëmin e çdo afere korruptive dhe nuk na thonë sa më shumë burime do të kishin mbetur për shërbime publike, nëse abuzimet do të ishin parandaluar. Rritja ekonomike dhe korrupsioni mund të ekzistojnë njëkohësisht.

Korrupsioni nuk lindi në vitin 2013 dhe nuk do të zhduket me largimin e një emri nga politika. Ai ushqehet nga marrëdhënia mes pushtetit dhe interesit material, nga mundësia që pasuria të shndërrohet në ndikim dhe ndikimi në privilegj. Kërkimi i mirëqenies personale është pjesë e jetës shoqërore; korrupsioni fillon kur detyra publike përdoret për ta kthyer atë në përfitim të padrejtë.

Prandaj, çështja nuk është të premtohet zhdukja e korrupsionit me një fjalim, por të ndërtohen institucione që e zbulojnë, e hetojnë dhe e ndëshkojnë, edhe kur ai prek njerëz të pushtetshëm. Në këtë pikë, zhurma e studios vlen më pak sesa një hetim i çuar deri në fund.

Liderësia në terren të vështirë

Megjithatë, mbrojtja e këtyre arritjeve nuk duhet të na çojë në idealizimin e njeriut që ka drejtuar vendin prej vitit 2013. Rama nuk ka qeverisur në një shoqëri pa mëkate, ku mjafton të shkruhet ligji që ai të zbatohet dhe ku grupet e interesit heqin dorë nga privilegjet e tyre sapo u kërkohet me mirësjellje. Ai ka marrë vendime në një terren ku korrupsioni, klientelizmi dhe lidhjet e interesit janë grumbulluar prej dekadash. As ai vetë nuk mund të jetë i imunizuar ndaj deformimeve që prodhon ky terren dhe ndaj gabimeve të pushtetit.

Të drejtosh një vend nuk do të thotë të lëvizësh mbi një tabelë shahu, ku figurat binden dhe çdo pasojë mund të parashikohet. Do të thotë të veprosh mes interesave që përplasen, institucioneve që rezistojnë, njerëzve që të mbështesin dhe të tjerëve që presin gabimin tënd të radhës. Në këtë terren, një drejtues mund të përballet me kompromise që nuk do t’i kishte pranuar kurrë në qetësinë e një diskutimi teorik.

Pikërisht këtu lind figura e liderit që, për të nxjerrë lulen nga kënetë, pranon të bëhet «i ndotur». Ai mund të mbajë mbi vete edhe baltën e gjykimit publik, pa pasur gjithmonë mundësinë apo vullnetin të shpjegojë çdo përkulje.

Këtë qasje ia vlen ta kemi parasysh edhe kur gjykojmë Edi Ramën: të shohim vendimet, pasojat dhe atë që ka ndryshuar, pa pretenduar se njohim çdo motiv. Sepse një vend mund të përparojë dhe njëkohësisht të mbajë ende plagë; një drejtues mund të ketë arritje dhe njëkohësisht vetëdijen për atë që nuk ka bërë mirë.

Opozita, zgjedhjet dhe mungesa e programit

Opozita ka të drejtë të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit. Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe arsyet e pakënaqësisë së tyre meritojnë të dëgjohen. Por krijohet gjithnjë e më shumë përshtypja se, për disa forca opozitare, largimi politik i Ramës është kthyer në qëllimin kryesor që zë vendin e programit të tyre politik: sikur, sapo të largohej ai, gjithçka në vend do të përmirësohej si me shkop magjik dhe ato do të fitonin edhe besimin që u ka munguar te zgjedhësit.

Në zgjedhjet e vitit 2025, Partia Socialiste fitoi 83 nga 140 mandatet parlamentare. Ky rezultat ka peshë demokratike dhe nuk mund të fshihet nga retorika e përditshme. Njëkohësisht, vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it evidentuan probleme serioze, përfshirë përdorimin e burimeve publike dhe të pushtetit institucional nga partia në pushtet. Të dyja këto fakte meritojnë të qëndrojnë në të njëjtën faqe. [11, 12]

Opinionistët në breg

Ndërkohë, në breg qëndrojnë opinionistët. Nga aty gjithçka duket më e thjeshtë: kënetë kalohet me këpucë të pastra, lulja shpëtohet pa u përkulur dhe vendi qeveriset pa lënduar asnjë interes. Në ekran, reforma që kërkon vite mund të bëhet për pesë minuta, midis një ndërprerjeje reklamash dhe parashikimit të motit.

Aq më e lehtë është të zhvlerësosh atë që është bërë. Një arritje shpallet propagandë, një reformë mashtrim, një vlerësim evropian interes gjeopolitik. Faktet që pengojnë përfundimin e gatshëm në peshore shtyhen mënjanë. Dhe kështu, me disa fjali të thëna me siguri, fshihen vite punë, transformimesh, vendimesh dhe përgjegjësish që vetë komentatori nuk ka pasur rastin t’i mbajë mbi supe.

Në banakët mediatikë opinionistët shfaqen si pleqtë e moçëm të kohëve moderne: dinë si duhet drejtuar ekonomia, si duhen zhvilluar negociatat me Evropën, si luftohet korrupsioni dhe si qeveriset vendi. Për çdo problem ka një zgjidhje të menjëhershme. E vetmja gjë që nuk vihet kurrë në provë është nëse ata vetë do të ishin në gjendje ta zbatonin.

Në një leksion në Universitetin e Torinos, më 12 maj 1997, gazetari italian Indro Montanelli dallonte mirëqenien që gazetaria mund të sigurojë nga pasuria e krijuar duke përdorur zanatin për qëllime të tjera. Me fjalët e tij: «Një gazetar i pasur është një gazetar që qelb erë, sepse ka shfrytëzuar zanatin për të arritur qëllime të tjera.» [13]

Është një gjykim i ashpër dhe pasuria, në vetvete, nuk provon korrupsion. Por kur disa nga zërat më të zellshëm kundër korrupsionit flasin çdo mbrëmje në emër të moralit publik, pyetja është e ligjshme: sa transparente janë interesat e tyre? Transparenca nuk mund të kërkohet vetëm përpara kamerës; vlen edhe prapa saj.

Kritika është e nevojshme; ajo e mban pushtetin nën vëzhgim publik dhe i kërkon llogari për vendimet dhe veprimet e tij.

Por ka diçka njëkohësisht qesharake dhe të dhimbshme kur ai që nuk ka hyrë kurrë në ujë, u jep çdo mbrëmje leksione atyre që janë ende duke u përpjekur të thajnë kënetën.

Gjykimi për Ramën dhe të ardhmen

Si qytetar, mjek dhe pedagog, i kam përjetuar nga afër, në jetën dhe punën time, ndryshimet e këtyre viteve. Nisur nga kjo përvojë, sot nuk shoh ende një figurë politike brenda PS që të më bindë se mund ta zëvendësojë Ramën dhe të mbajë të njëjtin intensitet ndryshimesh. Me ndjesë për këdo që ka ëndërruar apo ëndërron të drejtojë PS-në, por disa më kujtojnë mizën në veshin e kalit: ndërsa karroca ecën, ajo bindet se merita e ka vetë dhe se kali nuk po bën ndonjë punë të madhe.

Kërkesa për largimin e Ramës nuk përbën, në vetvete, një vizion për të ardhmen.

Rama duhet gjykuar për atë që ka arritur, për atë që ka toleruar dhe për atë që ka lënë pa bërë. Sa ka arritur të shpëtojë lulen dhe sa nga kënetë vazhdon ende të mbetet?

Një përgjigje vjen nga një palë jashtë përplasjes politike shqiptare: Komisioni Evropian. Ai vlerëson përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit dhe punën për reformat, por evidenton edhe korrupsionin dhe dobësitë institucionale që mbeten. [9]

Lulen, Rama dhe PS e kanë ngritur mbi kënetë dhe është më pranë dritës, megjithëse kënetë ende nuk është tharë. Ka mbetur pjesa më e vështirë dhe e rrezikshme: llumi është aq i trashë, sa edhe i thellë. Dhe ndërsa ai përpiqet t’i shkojë punës deri në fund, shtohen zërat që i thonë se ka ardhur koha të dalë, të mos e thajë kënetën plotësisht!

Ndoshta disave tharja e pjesës së mbetur të kënetës u prish shumë punë!

E di se pas këtij shkrimi disa do të nxitojnë të më quajnë «servil», dikë që kërkon t’i bëjë qejfin, të tërheq vëmendjen e kryeministrit. Është një zakon i njohur: kur nuk të pëlqen ajo që thotë dikush, sulmon atë që flet. Kështu shmanget mundimi për t’u përballur me argumentin.

Ata që ankohen për mungesë lirie duhet të pranojnë edhe lirinë e një qytetari për të menduar ndryshe prej tyre, pa e shpallur servil.

Dikush mund ta quajë këtë shkrim naiv dhe të mendojë se nuk e kam lexuar Princin e Makiavelit dhe se nuk i kuptoj kompromiset që kërkon pushteti apo pasojat që sjell përfshirja në vorbullën e tij. Mund të jetë. Por ky «naivitet» nuk më pengon të shoh se Shqipëria ku jetoj sot është më e mirë se ajo që kam njohur dikur. Dallimin e kam parë në jetën dhe punën time si qytetar, mjek dhe pedagog.

I kam shkruar këto radhë sepse nuk mund të mbetem thjesht soditës i asaj që po ndodh. Shoh ndryshimet, shoh edhe problemet. Po flas për to ashtu siç i gjykoj. Mund të gabohem dhe pranoj të kundërshtohem. Por nuk dua të heshtësh nga frika e etiketimeve dhe të më mbetet peng pyetja: «Pse nuk fola kur duhej?»

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha