Gjatë 48 orëve të fundit, skena më e madhe e futbollit ka shfaqur një pasqyrë interesante të gjeneratës së ardhshme angleze, me disa talente të reja që kanë treguar potencialin e tyre, përfshirë Luca Williams-Barnett.
Williams-Barnett shënoi gol dhe dha asist në paraqitjen e tij të parë si titullar në kampionat këtë të shtunë, duke u bërë futbollisti i dytë më i ri në historinë e Premierligës që realizon gol dhe asist në një ndeshje, në fitoren 2-0 të Tottenhamit ndaj Ipswich Townit.
Një debutim që la gjurmë
Talenti 18-vjeçar, të cilin Roberto De Zerbi e krahasoi me Lamine Yamalin në konferencën për media pas ndeshjes, kishte lënë përshtypje që në debutimin e tij në elitë muajin e kaluar, kur krijoi një rast për Mohammed Kudus në përballjen me Crystal Palace.
Paraqitja e fundit me Tottenhamin ka dëshmuar edhe një herë pse ai konsiderohet një nga talentet më premtuese të Anglisë, krahas një tjetër lojtari në formë, Rio Ngumohës.
Ngumoha, i cili tashmë ka katër paraqitje me ekipin kombëtar të Anglisë pasi debutoi në qershor, ishte një nga lojtarët më të dalluar të Liverpoolit të së dielës, duke shënuar golin e tretë në fitoren 4-0 ndaj Manchester Unitedit.
“Ajo që po bën ky djalosh është e jashtëzakonshme. Lloji i aftësive që shfaq dhe shpejtësia me të cilën i kryen nuk janë normale. Këtë nuk mund ta mësosh”, deklaroi ish-sulmuesi i Liverpoolit, Daniel Sturridge, pas ndeshjes.
Talente të tjera që po dalin në pah
Përtej fundjavës së kaluar, disa futbollistë të tjerë anglezë të talentuar kanë shkëlqyer edhe në Premierligë.
Stephen Mfuni, për shembull, është bërë një lojtar i rëndësishëm te Coventry City, skuadra e sapongjitur në elitë, pasi u huazua nga Manchester City.
Qendërmbrojtësi 18-vjeçar ka luajtur në shumë ndeshje nën drejtimin e Frank Lampardit, ndërsa saktësia e pasimeve prej 83 për qind dëshmon cilësitë e tij me topin në këmbë.
“Ai do të arrijë shumë larg në këtë sport”, kishte deklaruar Lampard muajin e kaluar.
Sa u përket mbrojtësve të tjerë, Josh Acheampong ka bërë përshtypje të mirë nën drejtimin e Xabi Alonsos, me 12 paraqitje në të gjitha garat për Chelsean këtë sezon.

Ai është pjesë e formacionit tonë së bashku me një tjetër futbollist shumë të gjithanshëm, Archie Gray të Tottenhamit.
Mesfushori i Liverpoolit, Trey Nyoni, është një tjetër talent premtues që mund të luajë një rol të rëndësishëm në të ardhmen e Anglisë.
Lojtari 19-vjeçar po kalon një sezon shpërthyes nën drejtimin e Andoni Iraolës, me 14 paraqitje me ekipin e parë në të gjitha garat dhe golin e tij të parë në Ligën e Kampionëve kundër Fenerbahçes.
Qetësia e tij me topin në këmbë, bashkë me aftësitë mbrojtëse, e bëjnë atë një kandidat serioz për mesfushën e Anglisë në Kupën e Botës 2034, kur do të jetë 26-vjeçar.
Alex Scott i Bournemouthit, i lidhur fuqishëm në muajt e fundit me një transferim te Chelsea, ka gjasa të jetë një nga futbollistët më me përvojë të kësaj gjenerate kur të vijë viti 2034.
Bazuar në sezonin e tanishëm dhe atë të kaluar, futbollisti i lindur në Guernsey pritet të jetë pjesë e planeve të Anglisë, krahas disa lojtarëve të tjerë që atëherë do të jenë mbi 30 vjeç, përfshirë Jude Bellinghamin, James Traffordin dhe Lewis Hallin.
Pyetja e sulmit
Pyetja më e madhe mbetet: kush do ta udhëheqë sulmin e Anglisë në vitin 2034?
Harry Kane, i cili atëherë do të jetë 41 vjeç, pothuajse sigurisht do ta ketë përfunduar karrierën, ndërsa aktualisht Anglia ka mungesë sulmuesish cilësorë.
“Sipas mendimit tim, Williams-Barnett duhet të jetë pika kryesore e sulmit të Anglisë, edhe pse do të luante në një rol fleksibël që do t’i lejonte të tërhiqej më prapa dhe të lëvizte në krahë, duke ndërruar pozicionet me ndoshta lojtarin më të talentuar të këtij formacioni, Max Dowman”, shkruan Jack Kenmare i “Sport Bible”.
Ka shumë arsye për optimizëm, por siç e tregon historia, një numër i madh talentesh nuk garanton domosdoshmërisht trofe për Anglinë.
A mund të jetë kjo gjeneratë që do ta ndryshojë këtë histori? Vetëm koha do ta tregojë./GazetaExpress/
Burimi: www.gazetaexpress.com









