Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Timo Flloko tregon takimin e parë me Claudia Cardinale në moshën 14 vjeç

Timo Flloko tregon takimin e parë me Claudia Cardinale në moshën 14 vjeç
Foto: bordo.al

Për aktorin Timo Flloko, takimi me ikonën e kinematografisë botërore, Claudia Cardinale, ka qenë pothuajse më entuziast sesa ai me Francis Ford Coppola-n (pa e zvogëluar aspak kënaqësinë e takimit me këtë të fundit). Historia e njohjes së Timos me Claudian nis shumë herët, që kur ai ishte 14 vjeç. Ishte pikërisht figura e saj që e bëri ta dashurojë dhe ta dëshirojë edhe më shumë kinemanë. Në këtë bisedë me Timon, ai tregon vlerësimin që ka për Coppola-n, për të mëdhenjtë e kinematografisë shqiptare, Vangjush Furxhi e Llani Serbo, për vlerën që ka marrë tashmë Festivali i Filmit në Durrës, për bashkinë e këtij qyteti, që është edhe organizatore e këtij aktiviteti ndërkombëtar, dhe për rikthimin e vëmendjes së institucioneve të shtetit drejt tij.

Kthimi nga Los Angeles për Festivalin e Durrësit

Zoti Flloko, latë para kohë ShBA-të për Festivalin e Filmit në Durrës. Cila është ndjeshmëria juaj, jo si prezantues, por si aktor në këtë edicion të katërt?

Është e vërtetë, e lashë Los Angeles-in për t’u kthyer 10 ditë përpara, për “International Film Summerfest Durrës” 2011. Komunikova me Anila Varfin, drejtoreshë artistike e Festivalit, një zonjë e pasionuar, që ka kontribuar për vizionin e të huajve mbi Shqipërinë, përmes këtij festivali prestigjioz. Edhe vitin e shkuar isha drejtues i këtij eventi artistik, i cili padyshim është kthyer në një aktivitet kinematografik europian për nga përmasat, nga cilësia, vlerat artistike dhe misioni i vet, që e nderon veçanërisht qytetin e Durrësit, Epidamnusin e lashtë, të njohur edhe në botë. Më pëlqen ky festival për disa arsye: së pari për filmat që sjell dhe shfaq, për personalitetet dhe kineastët që vijnë në Shqipëri, duke nisur në këtë edicion, nga ikona e kinemasë jo vetëm italiane por edhe europiane e botërore, Claudia Cardinale; regjisori i famshëm, një nga më të mëdhenjtë e botës Francis Ford Coppola. – Filmi i tij “Kumbari” renditet në listën e parë të filmave të prodhuar si filmi më i mirë i të gjitha kohërave, – si dhe shumë kineastë e personalitete si regjisori i shquar çek Jirzhi Menzel, regjisori dhe filozofi polak Krzysztof Zanussi, producenti dhe regjisori britanik Nick Powell, producenti dhe regjisori Jan Harlan, aktori Rade Serbedzija, etj. Kjo në një kuptim më bën që të ndihem mirë në këtë festival, të bie në kontakt me kolegë, me artistë, me personalitete, të shkëmbej mendime për kinemanë, t’u bëj të njohur atyre, – si të gjithë kolegët e mi shqiptarë që nga presidenti i Jurisë, Dhimitër Anagnosti; anëtari i jurisë, Kujtim Çashku; e gjithë drejtuesve të bordeve artistike që janë prezent në festival; se çfarë është Shqipëria dhe në një farë mënyre t’u bëjmë të njohur artin dhe kulturën tonë.

Në natën e parë të çeljes së Festivalit iu dha Çmimi i Karrierës aktorit Vangjush Furxhi. Ju përveç se keni punuar, keni pasur edhe miqësi me të, madje treguat edhe një episod kujtimesh për të…

Vangjushi ishte një aktor me një talent unikal, të jashtëzakonshëm si artist, pedagog shumë i mirë i aktrimit, euridit në fushën e teorisë së aktrimit dhe më shumë, njihte artet e tjera si pikturën, muzikën, mbi të gjitha një njeri i jashtëzakonshëm. Ikja e tij ishte tragjike, por ai la vepra të mëdha. Talenti i tij ka spikatur dhe krahas tij pata rastin në skenë të kujtoj edhe kolegun e tij, jo vetëm mikun tim, aktorin tjetër të shquar që iku tragjikisht nga kjo jetë, – ashtu e vendosi fati, – një aktor i mrekullueshëm, Llani Serbo.

Ju treguat diçka, se rolet që linte Vangjushi i merrnit ju. Shumë të tjerë nuk do ta thonin, mos është një modesti pak e tepruar?

Ai ishte një realitet. Por nuk do të thotë se çfarë kam lënë unë nuk e kanë marrë të tjerët. Kjo “të lënët” nuk është ndonjë gjë. “Ne aktorët”, më ka thënë një herë Bekim Fehmiu, “jemi si magjypët, që rendim të gjejmë punë”. Dhe është normale. Kjo vihet re edhe në Amerikë sot, ku aktorët thonë “mora një punë” me një modesti të skajshme. Por nuk është fjala se nëse unë them se Vangjushi la një rol dhe e mora unë te “Lulekuqet mbi mure”, që ishte një sukses për mua si aktor, apo Mato Gruda te “Njeriu me top”, që e ka lënë po Vangjushi, apo partizani Meçe në filmin “Kur zburdhi një ditë”. Ky është një realitet, kjo nuk ma zvogëlon mua përmasën si aktor. Unë jam fans i Vangjushit, dhe e pëlqej më shumë Vangjushin se Timon si aktor, kështu që pohimi ishte normal. Te ne ka artistë të mëdhenj, dhe Vangjusi e meriton titullin si një artist i rrallë.

Takimi me Claudia Cardinale dhe kujtimet e fëmijërisë

Claudia Cardinale është një nga emrat e mëdhenj të të ftuarve në Festival. Mund të na tregoni njohjen tuaj me të?

Unë nuk do kisha ardhur në fakt nga Los Angeles-i. I them Verës që kam një kërkesë për të shkuar në Shqipëri se vjen Francis Coppola dhe Claudia Cardinale në festival. Dhe i them, më kërkon drejtoresha e Festivalit Anila, por nuk po shkoj, është gjithë ajo rrugë, ndryshimi i orarit… Vera më thotë “do shkosh patjetër. Mos e diskuto. Nuk ka gjë më të bukur se t’i takosh ata”. Dhe dhëndri im vazhdoi më tej: “do bësh një fotografi me Francis Coppola-n që ta firmosë për Davidin dhe Jonathan-in, qe të krenohen kur ta shohin gjyshin e tyre me Coppola-n”. Dhe kështu po bënim humor. Por të them të vërtetën, – jo më shumë se për Coppola-n sesa për Claudia Cardinale-n kisha dëshirë të vija. Ajo është padyshim një ikonë e kinemasë italiane dhe jo vetëm, por një aktore e përbotshme.

…Ëndrrat e mia që në fëmijëri për t’u bërë artist janë të frymëzuara nga këto ikona. Unë isha 14 vjeç, kur u ngjita për herë të parë në skenë si pjesëmarrës në një festival në qytetin tim të fëmijërisë, në Vlorë. Asokohe, në kinemanë verore të qytetit, Claudia luante në filmin “Kartushi”, përkrah Jean-Paul Belmondo-së… Ne si fëmijë ngjiteshim murit të lartë dhe kërcenim matanë sa binte muzgu, një orë përpara se të fillonte filmi, dhe fshiheshim poshtë stolave të kinemasë e s’pipëtinim, për mos t’u diktuar nga roja apo portjeri që rrinte te porta e priste biletat e spektatorëve që hynin, se ishte një film i ndaluar për moshën tonë… Dhe ç’kënaqësi kur ia fillonte filmi, turreshim poshtë stolave e këmbëve të shikuesve si katërkëmbësha, sa me raste trëmbnim gra e vajza që klithnin nga befasia…por e gjenim secili qoshen e vet dhe kur mbaronte filmi ia mbathnim të parët duke çarë përmes turmës…

Kujtoj se ajo ishte gjithashtu në atë kohë një aktore e famshme e kinemasë botërore, ishte protagonistja e filmave të famshëm të regjisorit të madh Luchino Visconti, të Fellini-t, Zeffirelli-t, etj. Ajo ishte një mit për të gjithë ne, një idhull i kinemasë botërore. Dhe unë pata fatin mbrëmë të isha në të njëjtën skenë me të në Festivalin e Epidamusit duke ndjerë emocionet si dikur kur isha vetëm 14 vjeç! Dhe kur e pashë tani pas kaq vitesh, i thashë: “Claudia, unë të kam takuar kur isha 14 vjeç, të takova me sy, në film… se njësoj është kur e sheh një ikonë si të gjallë… veçmas me sytë e fantazinë e një fëmije…” Dhe i tregova për çka shkruajta më lart, për aventurën e kapërcimit të murit (si të ishte një Mur Kinez) të kinemasë verore në Vlorë. Ajo u habit shumë, u emocionua dhe tha: “Është e pabesueshme!”. Të dy u përqafuam si të ishim njohur përjetë… me një mall që e krijon ënd

Burimi: bordo.al

Të fundit Të gjitha