Shijet tona viziton një nga restorantet më të mira në kryeqytet, “The Crown”, ku shefi Albi dhe recetat e tij janë të famshme jo vetëm për shijet unike, por edhe sepse janë bërë shumë virale përmes postimeve në rrjetet sociale. Shefi Albi vendosi të na tregojë dy nga recetat e tij: teksturë patateje me mish viçi dhe rizoto me polen lulesh.

Teksturë patateje me mish viçi
Përbërësit:
Mish viçi, patate, kripë për pjekjen e patateve, gjalpë, pana, scamorza affumicata, e verdhë veze, vaj ulliri, erba cipollina dhe patatina.

Përgatitja:
E gatuajmë mishin e viçit me metodën konfi për rreth 8 orë në furrë, në mënyrë që të ruajë lëngjet dhe të aromatizohet. Më pas, e presim në formë rripash.
Në një tenxhere hedhim gjalpin bashkë me demi-glace-in e mishit të viçit, të cilin e kemi gatuar ngadalë për 48 orë. E lëmë të ngrohet.
Vazhdojmë me përgatitjen e patateve, të cilat i kemi pastruar paraprakisht. U hapim disa vrima që të nxjerrin lëngjet e tepërta dhe më pas i vendosim mbi kripë. I pjekim në furrë për 60 minuta në 180 gradë. Kur të jenë gati, i bëjmë pure dhe i përziejmë me panën dhe scamorza affumicata-n. Masën e ngrohim në zjarr që të gjithë përbërësit të lidhen bashkë. Më pas, e hedhim në sifon që të marrë formën e shkumës.
E montojmë pjatën duke shtruar mishin e viçit. Pasi mishi të jetë ngrohur, i shtojmë erba cipollina. Shtojmë të verdhën e vezës së thëllëzës, të gatuar në vaj ulliri në 54 °C. Vendosim patatinat dhe më pas shkumën e tymosur të patates. E përfundojmë pjatën me pak pluhur patateje të tymosur.
Rizoto me polen lulesh
Përbërësit:
oriz Carnaroli, polen, gjalpë, Parmigiano, mjaltë, stracciatella, finok dhe kripë.

Përgatitja:
E ngrohim orizin Carnaroli në një tigan nga të gjitha anët dhe i shtojmë pak kripë.
Kur kokrrat e orizit të kenë marrë nxehtësi dhe të jenë forcuar, shtojmë gjalpin dhe një lugë polen. E lëmë polenin të lëshojë aromën dhe ngjyrën, pastaj shtojmë ujin. E shuajmë me pak ujë dhe vazhdojmë gatimin derisa orizi të jetë zier plotësisht. Vazhdojmë me procesin e mantekimit: në fillim shtojmë gjalpin, pak polen dhe Parmigiano-n. E shërbejmë duke i shtuar stracciatella dhe finok për dekor.
Burimi: bordo.al










