Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Kleopatra Dokles tregon pse hoqi dorë nga skena pas 60 vitesh

Kleopatra Dokles tregon pse hoqi dorë nga skena pas 60 vitesh
Foto: abcnews.al

Një zë që i ka rezistuar kohës, një karrierë që nis në vitin 1966 dhe një histori jete ku duartrokitjet e skenës nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishme se dashuria e familjes. Kjo është historia e këngëtares Kleopatra Dokle, e cila prej më shumë se 60 vitesh mbetet e lidhur me muzikën dhe publikun. Ishte vetëm 18 vjeçe kur fitoi çmimin e parë me këngën “Një bahçe me portokalle”. Po atë vit, udhëtoi drejt Kinës me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, duke nisur një rrugëtim artistik që do ta çonte në skena të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Nga Vlora në Kukës e Tiranë, nga festivalet te koncertet ndërkombëtare, Kleopatra ndërtoi një karrierë të mbushur me vlerësime, medalje dhe duartrokitje. Por një nga kujtimet më të veçanta mbetet Kosova, ku interpretoi në kohë të vështira, kur jo shumë artistë guxonin të merrnin përsipër të udhëtonin atje.

Sot rikthehet me këngën “Vajzë vlonjate, bijë Narte”, një homazh për vendlindjen dhe rrënjët e saj. Një artiste që nuk ka kërkuar të ndryshojë identitetin muzikor, por ka zgjedhur të mbetet besnike e stilit që publiku ka dashur gjithmonë.

Dashuria dhe sekreti i zërit

Por çfarë e ka ruajtur zërin për kaq shumë vite? A është vërtet një dhuratë e natyrës apo pas saj fshihet një sekret i panjohur?
Pas skenës fshihet edhe një histori e veçantë dashurie me bashkëshortin, Zehrudinin, të cilin Kleopatra e quan një nga sekretet e rinisë së saj. Një marrëdhënie e ndërtuar mbi respektin, mirëkuptimin dhe mbështetjen e pakushtëzuar.

Emigrimi i papritur

Në vitin 1999, një ngjarje e papritur do të ndryshonte jetën e gjithë familjes. Një udhëtim në Bullgari për të vizituar vajzat u kthye në një emigrim të paplanifikuar, pasi djali i tyre pësoi një dëmtim të rëndë në këmbë. Një vendim i marrë brenda një nate i çoi drejt një jete të re, larg Shqipërisë.

Për Kleopatrën, kjo do të thoshte edhe një sakrificë e madhe: të vendoste familjen përpara karrierës, të refuzonte turne dhe angazhime artistike për të qenë pranë fëmijëve.
Sot, pas më shumë se 30 vitesh larg vendit, ajo nuk e fsheh krenarinë për tri fëmijët, nipin dhe mbesat. Njëra prej mbesave ka spikatur me talentin e saj artistik, duke u renditur e para mes 4 mijë konkurrentëve në një shkollë arti ku ka studiuar edhe Al Pacino.

Gjashtë dekada këngë, një dashuri që i ka rezistuar kohës dhe një zgjedhje që nuk e ka penduar kurrë: familja përpara famës. Kleopatra Dokle rrëfen historinë e një artisteje që ka fituar duartrokitjet e publikut, por që suksesin më të madh e mat me njerëzit që ka pranë./abcnews.al

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha