Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Agron Vula përlotet nga surpriza e mbesës: Si gjysh jam më i mirë se si baba

Agron Vula përlotet nga surpriza e mbesës: Si gjysh jam më i mirë se si baba
Foto: bordo.al

Një surprizë e papritur dhe plot emocione e priste regjisorin Agron Vula në studion e emisionit “Rudina”. Gjatë intervistës, ku foli për karrierën dhe jetën familjare, ai mori një mesazh të veçantë nga mbesa e tij, Poem Blu, vajza e Ledri Vulës.

Vogëlushja i kishte përgatitur gjyshit një përshëndetje plot ëmbëlsi, duke i shprehur dashurinë në mënyrën e saj të veçantë. Mes të tjerash, ajo i tregoi se sapo kishte ngrënë akullore pa u bërë pis dhe i premtoi se do t’i sillte edhe atij një shportë me ëmbëlsirën e preferuar.

“O dada, të dua! Sapo kam ngrënë akullore dhe nuk jam bërë pis as edhe me një pikë të saj. Dhe, ngaqë të dua, do të të sjell një shportë me akullore. Do ta bëj patjetër. Hajde, të kalofsh bukur! Po të përshëndes me dorë. Të përqafoj!”, ishte mesazhi i vogëlushes për gjyshin e saj.

Lidhja e veçantë me mbesën

I prekur nga fjalët e mbesës, Agron Vula foli më pas për lidhjen e veçantë që ka krijuar me të, duke pranuar se roli i gjyshit e ka bërë ta përjetojë ndryshe dashurinë për fëmijët.

Rrëfimi për të birin

Gjatë bisedës, ai bëri edhe një rrëfim të sinqertë për marrëdhënien me të birin, Ledrin, duke pranuar se për shkak të angazhimeve profesionale dhe rrethanave të vështira të jetës nuk ka mundur të kalojë aq kohë pranë tij sa do të kishte dëshiruar.

“Më duket se kam shkëlqyer më shumë si gjysh. Vetëm kur bëhesh gjysh e kupton vërtet atë dashuri që ia jep fëmijës me shumë durim. Kur Ledri ishte i vogël, shumicën e kohës nuk kam qenë pranë tij, sepse kur dëshiroja të qëndroja me të, ndodhesha jashtë vendit. Kam kaluar katër vite në Berlin.

E tillë ka qenë jeta dhe në Kosovë situata ka qenë e ngjashme, pasi na larguan të gjithëve nga puna dhe mbetëm pa mundësi punësimi. Kur bëhesh gjysh, atëherë e kupton më mirë vlerën e fëmijës, sepse ke edhe më shumë kohë në dispozicion dhe ndoshta dashuria është ndryshe, pasi mund të përkushtohesh më shumë. Edhe Poem duket se e ka gjyshin e saj mbi të gjithë të tjerët”, u shpreh ai.

Një rrëfim që tregoi anën më të ndjeshme të regjisorit, i cili duket se po e shijon në maksimum këtë kapitull të ri të jetës, atë të gjyshit të përkushtuar.

Burimi: bordo.al

Të fundit Të gjitha