TIRANË, 24 nëntor /ATSH/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) vazhdon të mbështesë fermerët përmes skemave të subvencionimit, me synim rritjen e prodhimit bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural.
Historia e një bletari nga Korça
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale historinë e Eduart Xhaollarit nga Leminoti i Korçës, i cili që nga viti 2010 merret me bletari dhe prodhimin e produkteve të bletës.
Përmes aplikimit të vazhdueshëm në skemat mbështetëse të AZHBR-së, Xhaollari ka përfituar subvencione për zhvillimin e bletarisë, duke zgjeruar aktivitetin e tij në prodhimin e mjaltit, qumështit të bletës dhe propolisit.
“Jam Eduart Xhaollari nga Korça. Merrem me mbarështimin e bletëve dhe prodhoj mjaltë, por edhe qumësht blete dhe propolis. Jam bletar që prej vitit 2010. Kam aplikuar çdo vit në skemat mbështetëse të AZHBR-së dhe çdo vit kam përfituar subvencione. Edhe këtë vit kam aplikuar dhe kam dalë fitues”, shprehet ai.
Mbështetja për sektorin e bletarisë
Skemat Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi synojnë të nxisin zhvillimin e sektorit të bletarisë, duke mbështetur financiarisht bletarët dhe duke krijuar më shumë mundësi për rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e aktivitetit të tyre ekonomik.
Këtë vit vlera e financimit për bletarinë është rritur në dy mijë lekë për zgjua për parqet e bletëve me 25 deri në 150 zgjoje, ndërsa për numrin mbi tavanin prej 150 zgjojesh mbështetja arrin në masën 50%.
Për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, financimi mbulohet në masën 100%, duke synuar nxitjen e organizimit dhe bashkëpunimit mes fermerëve në këtë sektor.
Burimi: ata.gov.al










