KOPENHAGË, 10 nëntor /ATSH-AFP/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të mbërrijë sot në Danimarkë, ku do të zhvillojë bisedime me udhëheqësit e vendeve nordike për mbrojtjen ajrore dhe sigurinë energjetike, njoftoi zyra e kryeministres daneze, Mette Frederiksen.
“Jam krenare që mund të mirëpres presidentin Zelensky dhe udhëheqësit nordikë në Danimarkë. Lufta e ukrainasve për një Ukrainë të lirë dhe një Evropë të lirë vazhdon”, deklaroi kryeministrja në një komunikatë.
Takimi me udhëheqësit nordikë
Në Kopenhagë do të udhëtojnë edhe kryeministri në largim i Suedisë, Ulf Kristersson, kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, si dhe homologu i tij finlandez, Petteri Orpo.
Vendet nordike renditen ndër mbështetësit kryesorë të Ukrainës. Në fund të tetorit, presidenti Zelensky vizitoi Oslon, ku zhvilloi bisedime me të dërguarit amerikanë.
Mospajtimet për bisedën me Putin
Në tetor, kryeministrja daneze Mette Frederiksen kishte kritikuar ashpër homologët e saj finlandezë dhe norvegjezë pas një bisede telefonike 90-minutëshe me presidentin rus Vladimir Putin, duke shprehur pakënaqësinë që nuk ishte përfshirë në këtë nismë.
Presidenti finlandez Alexander Stubb e kishte cilësuar bisedën si “të hapur dhe përmbajtësore”, ndërsa Store kishte theksuar se ajo nxori në pah “mospajtime të mëdha” me presidentin rus.
Kjo është vizita e pestë e Zelenskyt në Danimarkë që nga viti 2023. Vetëm vitin e kaluar, ai e vizitoi këtë vend tri herë.
Negociatat në Abu Dabi
Ndërkohë, negociatat e drejtpërdrejta mes Kievit dhe Moskës, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, zhvillohen sot dhe të mërkurën në Abu Dabi. Edhe përfaqësuesit evropianë do të udhëtojnë drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, ku do të zhvillojnë takime të ndara me delegacionet ukrainase dhe amerikane.
“Gati pesë vjet pas pushtimit në shkallë të plotë, bombardimet vazhdojnë të godasin civilët, qendrat e ndihmës emergjente, si dhe instalimet e ujësjellësit dhe ngrohjes. Prandaj, duhet të qëndrojmë të palëkundur”, theksoi Frederiksen.
Masat e sigurisë në Kopenhagë
Policia e Kopenhagës njoftoi se do të shtojë praninë e saj në hapësirat publike. Gjithashtu, deri më 12 nëntor është ndaluar fluturimi i dronëve mbi kryeqytetin danez.
Gjatë paradites, një prani e shtuar e forcave të policisë u vu re pranë zyrës së kryeministres në Kopenhagë, sipas një gazetareje në vendngjarje. /Ad.Ab./
Burimi: ata.gov.al









