Në fillim dëmtimet e rënda, tani problemet shëndetësore
Duket se rritja sportive e Jamal Musialës ka ngecur. Në moshën 23-vjeçare, talenti gjerman ndodhet në një rënie të pandalshme prej disa sezonesh.
Që nga viti 2024, sulmuesi qëndroi jashtë për një kohë të gjatë si pasojë e dy dëmtimeve muskulore. Më pas erdhi fraktura e rëndë në tibia e këmbës së majtë gjatë Botërorit të Klubeve, që e detyroi të pushonte gjashtë muaj radhazi.
Problemet neurologjike
Por tani gjërat janë më shqetësuese. Musiala po përballet me probleme neurologjike që prej muajsh, që i shkaktojnë të fikëta të papritura. Kjo gjendje ka alarmuar Bayern Munich, siç konfirmohet nga deklaratat e fundit të presidentit të nderit të klubit bavarez, Uli Hoeneß.
“Me Jamalin, jemi përballë një dileme. Djali vuan nga një gjendje që nuk shërohet lehtë, ndonëse mund të mbahet disi nën kontroll përmes mjekimit. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ai do të jetë ndonjëherë në gjendje të rikthehet në nivelin e tij të mëparshëm të performancës… Për momentin, ai vazhdon ta marrë pagën e tij. Por, imagjinoni sikur Bayerni ta vinte në dyshim kontratën e tij, me argumentin se niveli i performancës që ai është në gjendje të ofrojë aktualisht nuk përputhet më me kushtet e rënë dakord fillimisht”, ka thënë Hoeneß, si gjithmonë i drejtpërdrejtë.
Kontrata dhe pritshmëritë
Këto fjalë nuk janë thjesht një provokim. Në fillim të vitit 2025, Musiala e rinovoi kontratën me Bayern, duke nënshkruar deri në vitin 2030, me një rritje të ndjeshme të të ardhurave, që e kthyen sulmuesin në lojtarin e pestë më të paguar në Evropë, me rreth 20 milionë euro në sezon.
Por pritshmëritë e mëdha rreth tij janë zbehur. Musiala vuan nga një gjendje neurologjike që shkakton një formë të lehtë epilepsie. Kjo çështje doli në pah gjatë verës, kur ai humbi ndjenjat në publik në dy raste, ndonëse sipas raportimeve ai është përballur me këtë gjendje prej kohësh. Mjekimi që merr i mban simptomat nën kontroll, por problemi është larg zgjidhjes dhe, sipas mediave gjermane, Bayern po mendon seriozisht për një rishikim të kushteve të kontratës me futbollistin, në rastin më të mirë.
Burimi: abcnews.al










