Me gjithë ndihmën e këtyre faktorëve ndërkombëtarë që vinin nga Perëndimi dhe Lindja, duket se deri tani situata ka sjellë disa qarqe të mazhorancës, të dala nga masa e madhe politike që doli nga zgjedhjet e 11 majit 2025.
Opozita para zgjedhjeve të 9 majit 2027
Megjithëse nuk shkuan në konsultimet me Presidentin për datën, duke u mbajtur pas logjikës së qëndresës, e gjithë opozita po vjen në një situatë më të galvanizuar për zgjedhjet e 9 majit 2027.
Situata është e tillë: mjedisi opozitar është goxha i galvanizuar, si pasojë edhe e aktivizmit të protestave të gjata. Kryesisht pjesa më aktive e tyre është gati për një betejë elektorale.
Sfida për të mobilizuar elektoratin
Pyetja që shtrohet është nëse ky mjedis mjafton. Ai nuk është aq i madh sa për të mobilizuar edhe pjesën tjetër të elektoratit dhe për të rritur konsensusin.
Pikërisht këtu qëndron e gjithë çështja, prandaj fushata elektorale ka rëndësi. Mënyra e fushatës, prezantimi në publik, kandidati dhe idetë politike janë mjete që thithen nga njerëzit, të paktën nga ai segment që quhet elektorati gri.
Kjo nuk do të jetë e lehtë, pasi djegia e Tiranës do të jetë një pjesë dhe një kryq i rëndë për protagonistët e opozitës, që nuk u distancuan nga ajo që ndodhi.
Debati për një kandidat të përbashkët
Ka një debat që po zhvillohet për tezën e një bashkimi të opozitës në një kandidat të përbashkët. Por një bashkim i tillë nuk është gjë tjetër veçse një bashkim i rremë, që mund të shkërmoqet nga momenti në moment, siç ndodhi me rastin e koalicionit ndërmjet Nismës Thurje dhe partisë së Adriatik Lapajt, që gati sa s’i hyri në dru njëri-tjetrit.
Ndërkohë, dhuna verbale ndërmjet Lapajt dhe Gazment Bardhit në studion e Fevziut është dëshmi e një mjedisi shumë acid në këtë pjesë politike.
Rruga më e mirë politike
Logjika më normale do të ishte që qoftë PD, qoftë opozita tjetër të kenë kandidatët e tyre, t’i kenë seriozë dhe të përgatitur për të kërkuar votat e elektoratit të tyre fillimisht, e më pas të pjesës tjetër.
Nëse, qoftë në Tiranë, qoftë në bashkitë e tjera, e gjithë kjo opozitë merr votat e saj dhe hyn me forcat e veta në këshillat bashkiakë, si dhe ka votat për kandidatët, kjo është rruga më e mirë politike për të shtruar rrugën e një alternative.
Ky është një proces politik që, siç dihet, nuk është një shock therapy, siç u tentua ta kryejnë, por një maratonë e plotë politike për të ndërtuar diçka. Secili në pjesën e vet, kështu që të jenë të gatshëm për betejën e radhës të 2029, e cila gjithashtu do të ketë kontekstin dhe veçantitë e saj.
Ndërkohë, kandidatët që janë stërvitur në zgjedhjet lokale, edhe sikur të mos fitojnë, janë gati për garën e deputetëve. Rrugët e shkurtra, siç ndodhi me muajt dhe javët e fundit, krijojnë gjithashtu pasoja traumatike, jo politike.
Burimi: shqiptarja.com










