Zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 mund të tingëllojnë larg, por sipas kalendarit politik, Ervin Salianji e cilëson opozitën si të vonuar në shpalljen e kandidatëve.
Kritika ndaj opozitës dhe Sali Berishës
Gjatë diskutimit në “Studio Live” në Report Tv, ish-deputeti shprehet se PD nuk ka kandidatë për 90% të bashkive. Salianji bën përgjegjës Sali Berishën për rënien e qëllimtë të protestës dhe shton se gjenerata Z nuk ka asnjë arsye për ta mbështetur kryedemokratin kur kërkon largimin e tij.
“Opozita është e vonuar në të gjitha proceset. Jemi 3-4 muaj para fushatës elektorale, muajt e fundit ecin shumë shpejt. Është e vonuar në përzgjedhjen e kandidatëve, bërjen e aleancave, njohjen e një realiteti të ri që është protesta. Fokusi duhet të vendosej te largimi i Ramës, por e prishi protestën. Dalja e Sali Berishës në protestë, e qëllimtë për ta prishur. Ç’punë ka të shkojë atje? Çfarë do të bëjë në datë 28 ai? Një protestë që kërkon largimin e Edi Ramës dhe Sali Berishës. Nëse Berisha po mos të kishte interesin personal ose trajtimin si biznes të partisë, do të kishte dalë në protestë kundër vetes. Në 36 vite të mërzitet edhe vetja. Gjenerata Z e të tjerat bëjnë betejën për të pasur ndryshim pse të bëjnë betejë për një njeri që ka 36 vite në politikë. Sali Berisha nuk ka kandidat në pothuajse 90% të bashkive. Nuk ka kandidat. Sot PD duhet të kishte kandidatët për 46 bashkitë që la reforma e re. Opozita mund të fitojë nëse bën një hap pas Berisha”, tha Salianji.
Pretendimi për fitoren e PD
Me bindje, Salianji shprehet se ai do të sillte fitoren për Partinë Demokratike, ndryshe nga humbja që Sali Berisha prodhon duke qenë “barrë” në garën zgjedhore.
“Po të isha unë s’ka diskutim që do të fitonte shumicën. Kam treguar që i fitoj edhe kur duket e pamundur. Barra më e rëndë e opozitës është Sali Berisha”, tha ish-deputeti.
Largimi i Berishës si kusht për protestën
Siç është shprehur shpesh, largimi i Sali Berishës nga drejtimi i PD do të çlironte opozitën si dhe do të sillte rrëzimin e Edi Ramës përmes protestës.
“Nëse Berisha jep dorëheqjen sot, i jep mundësi qytetarëve ta hedhin Ramën brenda një muaji”, tha Salianji.
Burimi: shqiptarja.com










