Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se Bashkimi Evropian do të nisë në fillim të vitit të ardhshëm dialogun për integrim gradual me secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Synimi është t’u sigurohet qasje në më shumë përfitime të tregut të përbashkët edhe përpara anëtarësimit në BE.
Zgjerimi dhe përparimi i vendeve kandidate
Në deklaratën e saj pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor, Von der Leyen theksoi se zgjerimi është domosdoshmëri strategjike për Evropën. Ajo vlerësoi veçanërisht përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në negociatat për anëtarësim.
“Po shohim përparim inkurajues. Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit të tij. Dhe Shqipëria vazhdon të ecë drejt saj me një ritëm mbresëlënës”, u shpreh ajo.
Integrimi ekonomik i rajonit
Von der Leyen përmendi gjithashtu përparimin në integrimin ekonomik. Ajo njoftoi se katër vende të Ballkanit Perëndimor janë tashmë pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), që mundëson transferimin e parave më shpejt dhe me kosto më të ulët.
Po ashtu, muajin e kaluar kanë nisur negociatat për skemën “Roam Like at Home” me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.
Plani i Rritjes dhe bashkëpunimi rajonal
Duke folur për Planin e Rritjes, presidentja e Komisionit Evropian tha se zbatimi i hapave të reformave nga partnerët e rajonit ka arritur në 63 për qind, krahasuar me 38 për qind një vit më parë. Sipas saj, në javët në vijim Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mund të përfitojnë nga ky proces.
Von der Leyen theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke përmendur rritjen e tregtisë ndërmjet vendeve, njohjen e kualifikimeve përtej kufijve dhe lehtësimin e lëvizjes përmes roaming-ut rajonal.
Në përfundim, ajo nënvizoi se suksesi i procesit të zgjerimit duhet të matet me ndryshime konkrete në jetën e qytetarëve, duke krijuar më shumë mundësi për të rinjtë dhe bizneset në rajon.
Burimi: insajderi.org









