Një 23-vjeçar është arrestuar në flagrancë në qytetin e Vlorës, pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri pistoletë pa leje. Në pranga ka rënë edhe një 37-vjeçar, i cili e transportonte me automjet dhe akuzohet për moskallëzim krimi.
Policia e Vlorës bëri të ditur se arrestimet u kryen në kuadër të operacionit të koduar “Siguria”, të organizuar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë.
Kontrolli në lagjen “Kushtrimi”
Operacioni u zhvillua në lagjen “Kushtrimi”, ku efektivët ndaluan për kontroll automjetin me të cilin udhëtonin dy shtetasit. Gjatë kontrollit fizik ndaj pasagjerit, 23-vjeçarit R. H., policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë.
23 vjeçari akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Precedenti i 37-vjeçarit
Sipas policisë, 37-vjeçari rezulton me precedent kriminal në fushën e narkotikëve.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë, automjeti dhe dy telefona celularë.
Burimi: abcnews.al










