Për avokatin Hoxha, kryebashkiaku Veliaj “ka në dorë” fitoren e PS në Bashkinë e Tiranës. Shkarkimet e disa drejtorëve në Bashkinë e Tiranës nga Veliaj, Hoxha i cilësoi të drejta. Ndërkohë Kthupi tha se “molla e sherrit” mes Ramës e Veliajt është mos-pasja nën kontroll e Bashkisë Tiranë nga ana e kryeministrit.
Shkarkimet dhe debati në studio
Në studion e emisionit “Repolitix” me gazetarin Denis Minga në Report Tv u diskutua mbrëmjen e sotme për thellimin e “luftës” mes Erion Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama, pas shkarkimit nga kryebashkiaku më 20 nëntor të kryeinspektorit të IMT-së, Rigers Sheqeri, drejtoreshës së Kopshteve dhe Çerdheve, Zhaneta Beqiri, dhe drejtoreshës së Policisë Bashkiake, Elona Lalaj.
Pozicioni i avokatit Hoxha
Avokati Arbër Hoxha, duke i cilësuar shkarkimet si të drejta, shprehu bindjen se kryebashkiaku Veliaj mund të bëhet një pengesë për PS-në në fitimin e Bashkisë së Tiranës.
Duke e cilësuar shkarkimin e Veliajt si antikushtetues dhe duke përmendur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e rikonfirmoi në detyrë, Hoxha tha se në këto kushte Rama nuk duhet të flasë për shkarkime të padrejta në Bashkinë e Tiranës, pasi sipas tij, kryebashkiak është Veliaj.
“Unë mendoj se Veliaj është një pengesë për Ramën për Bashkinë Tiranë. Që në krye të herës Rama e shkarkoi Veliajn në mënyrë antikushtetuese. Madje Gjykata Kushtetuese duhet të ngrihej në lartësinë e Kushtetutës për të thënë që vendimi i shkarkimit të tij ishte antikushtetues. Në këto kushte Rama s’mund të flasë për shkarkime që bën Veliaj në kundërshtim me ligjin, përsa kohë që Kushtetuesja tha fjalën e vet. Të thuash që Veliaj është sot një anëtar i thjeshtë i PS, është një guxim i madh.
Të thuash që drejtoresha e Policisë Bashkiake e zbaton ligjin me rigorozitet, është një gënjeshtër shumë e madhe. Sepse nëse e vendos makinën, qoftë edhe në mënyrë të kundraligjshme me kodin rrugor, vendosin një masë administrative direkt, ndërkohë që nëse zapton një hapësirë publike, Policia Bashkiake bën një sy qorr e një vesh shurdh. Për mua ajo duhej shkarkuar me kohë”, tha mes të tjerash Hoxha.
Pozicioni i avokatit Kthupi
Edhe avokati Rezart Kthupi tha se kryeministri Rama po përpiqet ta eliminojë politikisht Veliajn, pasi sipas tij, e sheh si pengesë për fitoren e PS-së në Bashkinë e Tiranës.
Kthupi tha se Rama sot është në pikën më të dobët në raport me zgjedhjet lokale të 2027 dhe, sipas tij, i nevojitet mbështetja e administratës së bashkisë. Por sipas Kthupit, Veliaj është ai që e ka pushtetin mbi administratën bashkiake, dhe pikërisht kjo është “molla e sherrit” me Ramën.
“Beteja për Tiranën do të jetë beteja vendimtare në raport me zgjedhjet e 9 majit. Humbja e Tiranës do e minonte në mënyrë thelbësore pushtetin e Ramës në raport me vijimësinë e mundshme. Duke pasur parasysh edhe sondazhet, Rama sot është në pikën më të dobët në raport me zgjedhjet në Tiranë. Ai përpiqet që të eliminojë atë që e shikon si një rrezik potencial apo një gurë që e pengon në rrugën e PS për zgjedhjet e Tiranës. Kështu që në këtë pikë po e sulmon Veliajn.
Në rastin konkret ajo përplasja mes Ramës dhe Veliajt është kthyer në këtë mollë sherri. Veliaj po e drejton personalisht Bashkinë Tiranë. Nëse deri në muajin shtator e kishte deleguar firmën, tani jemi në pikën që bashkinë e administron vetë. Kushdo që do jetë kandidat për Tiranën, do marrë me vete edhe kostot e Ramës. Mos-pasja e bashkisë është molla e sherrit. Ramës nuk i intereson Veliaj. Një administratë e tillë që nuk vihet në funksion të fushatës, e kupton pastaj çfarë bëhet”, tha mes të tjerash Kthupi.
Pozicioni i avokatit Petraj
Ndërkohë avokati Edmond Petraj shprehu mendimin se kryebashkiaku Erion Veliaj nuk e dëmton dot kryeministrin Edi Rama dhe nuk e pengon dot fitoren e Partisë Socialiste në Bashkinë e Tiranës.
Petraj tha se Veliaj është një anëtar i thjeshtë i PS dhe, sipas tij, po qëndron në krye të Bashkisë vetëm falë vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ai theksoi se PS është një parti shumë e organizuar dhe me disiplinë në strukturat organizative, të cilën, sipas avokatit, Veliaj nuk mund ta dëmtojë.
“Veliaj nuk është më pjesë e PS. Ai lufton të arrijë çfarë të arrijë. Përsa i përket Bashkisë Tiranë që ai po e mban përmes një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, i cili e rilegjitimoi në detyrë. Mos harro që kemi edhe Këshillin Bashkiak të PS që votoi në unitet bashkë me PS për ta shkarkuar Veliajn. Për mua Veliaj s’ka më atë peshë specifike që ka pasur. Është një anëtar i thjeshtë i PS dhe një kryebashkiak në detyrë jofizikisht. Ramën nuk e dëmton më Veliaj. PS është një repart politik shumë i organizuar. Ka një disiplinë përsa i përket strukturave organizative. Kjo e bën PS krejt të veçantë. Ramën s’ke për ta dëgjuar më që të sulmojë Veliajn”, tha mes të tjerash Petraj.
Burimi: shqiptarja.com










