Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Paraburgim për policët serbë të dyshuar për keqtrajtim të studentëve

Paraburgim për policët serbë të dyshuar për keqtrajtim të studentëve
Foto: reporteri.al

Gjykata Themelore në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit deri në 30 ditë për nëntë ish-pjesëtarë dhe pjesëtarë aktualë të policisë serbe, lidhur me dyshimet për keqtrajtimin e studentëve dhe qytetarëve të tjerë në Serbi.

Masën e paraburgimit e ka caktuar gjykata për ish-zyrtarë dhe zyrtarë aktualë të Njësisë për Sigurimin e Personave dhe Objekteve të Caktuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Vendimi vjen pas kërkesës së Prokurorisë Themelore Publike në Beograd, e cila i akuzon të dyshuarit se më 14 gusht, në garazhin e Qeverisë së Serbisë, duke vepruar si zyrtarë të kësaj njësie, kanë përdorur forcën dhe kërcënimet. Sipas prokurorisë, ata u kanë shkaktuar dhimbje dhe vuajtje të mëdha studentëve dhe qytetarëve të dëmtuar, me qëllim që të merrnin informacione prej tyre, si dhe për t’i frikësuar dhe ndëshkuar në mënyrë të paligjshme.

Prokuroria në Beograd thotë se ata kanë kryer veprën penale të keqtrajtimit dhe torturës.

Të dyshuarit dhe dyshimet

Ndër nëntë të dyshuarit, të cilëve u është caktuar paraburgimi, është edhe komandanti aktual i Njësisë Speciale Kundër Terrorizmit, Igor Zhmiriq, si dhe persona të tjerë të identifikuar me inicialet V.L., J.O., B.J., D.V., N.D., N.F., Z.V. dhe M.V.

Gjykata në Beograd ka thënë se masa u shqiptua sepse ekziston dyshimi se, nëse të pandehurit do të liroheshin, mund ta pengonin procedurën penale duke ndikuar te dëshmitarët.

Ata dyshohen për një vepër penale që përfshin elemente dhune. Sipas ligjeve në Serbi, për këtë vepër parashikohet burgim deri në pesë vjet.

Rasti i ish-shefit të njësisë

Ish-shefi i Njësisë për Sigurimin e Personave dhe Objekteve të Caktuara, Marko Kriçak, aktualisht shef i Drejtorisë së Policisë Kriminale, ndodhet gjithashtu në paraburgim. Prokuroria e ka cilësuar si të dyshuarin kryesor për këtë rast.

Ai dyshohet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare lidhur me vrasjen në restorantin “27”, në lagjen Senjak.

Kriçak kishte drejtuar një aksion policor në atë restorant. Në kallëzimin penal të policisë për këtë krim fillimisht ishte përfshirë Vesellin Milliq, i cili atëherë, përveç ndihmësdrejtor, ishte edhe shef i policisë së Beogradit.

Milliq u bë i njohur për publikun në Serbi pasi studentja Nikolina Singjeliq e akuzoi për kërcënim dhe brutalitet policor në garazhin e ndërtesës së ekzekutivit gjatë protestave të vitit të kaluar, dhe ngriti kallëzim penal kundër tij.

Konteksti i protestave

Studentët në Serbi kishin organizuar protesta kundër autoriteteve serbe pas shembjes së strehës prej betoni në një stacion hekurudhor në Novi Sad, ku kishin vdekur 16 persona.

Një lëvizje politike që doli nga këto protesta, e quajtur Lista Studentore, i fitoi zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 25 tetor, duke larguar nga pushteti, pas 14 vjetësh, ish-presidentin Aleksandar Vuçiq.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve u shpallën më 5 nëntor, duke hapur rrugën për konstituimin e Parlamentit dhe të Qeverisë së re të Serbisë./REL/

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha