Një i sapodiplomuar në Fakultetin e Drejtësisë i është drejtuar publikisht kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se paralajmërimet për masa ndëshkuese nuk do t’i ndalin studentët dhe të rinjtë që protestojnë. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe intelektualë njoftuan dorëzimin e një kallëzimi në SPAK, lidhur me pretendimet për dhunë policore ndaj studentëve gjatë protestave.
Kundërshtimi i masave të qeverisë
I riu kundërshtoi paketën e masave të paralajmëruara nga qeveria, duke pretenduar se ato bien ndesh me parimet demokratike dhe standardet e Bashkimit Evropian. Sipas tij, këto masa do të përballen me shqyrtimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Si protestues, si i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Rama duhet të ketë parasysh se ato masa kanë prapavijë. Parime komuniste, që dalin kundër parimeve të BE-së. Vetë Gjykata Kushtetuese do t’i rrëzojë ato”, u shpreh ai.
Vazhdimi i mobilizimit të të rinjve
Protestuesi theksoi se të rinjtë nuk kanë ndërmend të tërhiqen përballë presionit dhe se mobilizimi do të vijojë, pavarësisht paralajmërimeve të kryeministrit. “Por ai ta harrojë se ne do të frikësohemi nga ato masa, mos ta mendojë. Ne ditën hamë gaz, gjatë natës punojmë. Mos të na nënvlerësojë”, deklaroi i riu, duke përcjellë mesazhin se protestat do të vazhdojnë.
Përmes këtij reagimi, ai bëri të qartë se protestuesit synojnë të vijojnë qëndresën dhe të mbajnë gjallë lëvizjen studentore, ndërsa përplasja mes tyre dhe qeverisë për masat e paralajmëruara mbetet në qendër të debatit publik.
Burimi: kohajone.com










