Policia e Tiranës ka vënë nën hetim penal 10 persona dhe ka vendosur 13 gjoba administrative pas protestës së djeshme kundër qeverisë në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe efektivëve policorë.
Protesta dhe bllokimi i Rrugës së Durrësit
Protesta nisi rreth orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit, ku një grup të rinjsh dhe protestuesish u mblodhën pasi njoftuan krijimin e një organizimi të ri studentor. Fillimisht, efektivët i zhvendosën protestuesit në të dyja anët e Rrugës së Durrësit dhe hapën rrugën për automjetet. Rreth orës 15:00, me rritjen e numrit të pjesëmarrësve, protestuesit bllokuan plotësisht qarkullimin për rreth dy orë.
Marshimi dhe përplasjet te “Myslym Shyri”
Pas kësaj periudhe, protestuesit nisën marshimin përgjatë rrugës “Mine Peza” dhe Rrugës së Kavajës. Te “Myslym Shyri”, policia kishte ngritur një kordon për të penguar vazhdimin e marshimit. Aty pati përplasje dhe disa protestues i vunë flakën një koshi mbeturinash.
Më pas, një grup protestuesish u mblodhën para Kryeministrisë, ku qëndruan për disa orë përpara se të marshonin drejt sheshit “Skënderbej”.
Masat e marra nga policia
Sipas Policisë së Tiranës, 10 shtetas janë procedur penalisht për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Gjithashtu, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 5, datë 28.10.2026, janë plotësuar 13 procesverbale për kundërvajtje administrative. Specialistët e Hetimit të Krimeve, në bashkëpunim me Prokurorinë, vazhdojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Burimi: shqiptarja.com










