Përgjegjësinë kryesore për ushqimin e sigurt do ta kenë bizneset. Projektligji “Për ushqimin”, i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Bujqësisë, synon të rrisë përgjegjësinë e ndërmarrjeve dhe të përcaktojë mënyrën se si duhet të reagojë çdo institucion kur rrezikohet shëndeti i konsumatorëve.
Prodhuesit do të mbajnë përgjegjësinë kryesore për sigurinë e produkteve ushqimore, nga prodhimi deri në shitje. Projektligji detyron bizneset të gjurmojnë origjinën e produkteve dhe destinacionin ku i kanë shpërndarë.
Drafti, që do të zëvendësojë ligjin aktual të vitit 2008, parashikon se nëse një biznes konstaton se një ushqim mund të përbëjë rrezik, duhet ta tërheqë menjëherë nga tregu dhe të njoftojë autoritetet.
Masat parandaluese
Projektligji parashikon edhe masa parandaluese. Në rast dyshimesh për rrezik ndaj shëndetit të konsumatorëve, edhe pa prova të plota shkencore, Ministria e Bujqësisë mund të ndërhyjë me masa të përkohshme, bllokim malli apo pezullim aktiviteti.
“Në rrethana të veçanta, kur pas një vlerësimi të informacionit të disponueshëm është identifikuar mundësia e efekteve të dëmshme për shëndetin, por vazhdon të ekzistojë pasiguria shkencore, ministri, me iniciativën e tij ose në bazë të propozimit të arsyetuar të autoritetit kompetent, me urdhër, mund të miratojë masa të përkohshme të menaxhimit të riskut”, thuhet në nenin 9 pika 1.
Për produktet që paraqesin rrezik serioz do të krijohet “Sistemi Kombëtar i Njoftimit të Shpejtë”, përmes të cilit institucionet do të shkëmbejnë informacion dhe do të koordinojnë reagimin. Në rast situatash problematike me ushqimin mund të ngrihet edhe një “Njësi Krize”, që do të vlerësojë situatën, do të propozojë masat dhe do të informojë publikun.
Organet e reja të vlerësimit
Një tjetër risi është Komisioni i Përhershëm për Vlerësimin e Riskut, me 7 anëtarë, i cili do të kryejë vlerësime shkencore për rreziqet që lidhen me ushqimin për njerëzit dhe për kafshët. Ky organ do të jetë i pavarur.
Rregulla të veçanta parashikohen për produktet që kërkojnë autorizim përpara daljes në treg, si ushqimet e reja, enzimat, aromatizuesit dhe produktet me organizma të modifikuar gjenetikisht. Siguria e tyre do të vlerësohet paraprakisht nga një komision i posaçëm me 5 anëtarë.
Regjistrimi i stabilimenteve
Projektligji parashikon kalimin nga sistemi aktual i licencimit në regjistrimin e stabilimenteve dhe miratimin paraprak të tyre në raste të caktuara. Çdo biznes duhet të regjistrojë ambientin ku ushtron aktivitetin, ndërsa bizneset që përpunojnë produkte me origjinë shtazore do t’i nënshtrohen edhe procedurës së miratimit.
Gjobat dhe pezullimi
Drafti përcakton gjoba nga 80 mijë deri në 2 milionë lekë, në varësi të shkeljes. Në rastet kur një produkt ushqimor ka shkaktuar dëme në shëndetin e njeriut ose mund të përbëjë rrezik potencial për jetën, parashikohet edhe pezullimi.
Kostoja e zbatimit
Sipas relacionit, zbatimi i projektligjit do të kushtojë deri në 5.81 milionë lekë për periudhën 2027-2029. Nga kjo shumë, 4.91 milionë lekë janë parashikuar për shpërblimin e anëtarëve të dy komisioneve dhe 900 mijë lekë për ekspertizë të specializuar.
Burimi: shqiptarja.com









