Shumëkush që udhëton nga Tirana drejt Pogradecit e Korçës nuk mund të mos jetë mahnitur herë pas here nga peizazhet që ofron pjesa e Librazhdit, me luginën e Shkumbinit, majat e larta të maleve dhe pyjet që dallohen në shpatet e tyre.
Pothuajse të gjithë udhëtarët kanë ndaluar për pak pushim në Hotolisht, por shumë pak, përveç banorëve të zonës dhe atyre që kanë lidhur miqësi në fshat, kanë hyrë më thellë.
Fshati i Hotolishtit dhe natyra e tij
Hotolishti është fshati më i madh i malësive të Librazhdit dhe ofron një kombinim mes natyrës malore, pasurive ujore dhe historisë lokale.
Përmes zonës kalon lumi Shkumbin, i cili ndan në mënyrë simbolike dy relieve dhe peizazhe të ndryshme natyrore. Nga njëra anë është Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë dhe afërsia me parkun bën që Hotolishti të ofrojë ajër të pastër, pyje dhe mundësi për ecje e eksplorim.
Aty të apasionuarit mund të eksplorojnë liqenin dhe shpellën e Buzgarës, e njohur për legjendat që e rrethojnë dhe e preferuar nga shumë vizitorë.
Fshati ka rezervuarë ujorë që shërbejnë për zonën dhe krijojnë pamje të bukura rreth tokave bujqësore dhe kodrinore.
Në ditët e mesnëntorit, natyra ruan ngjyrat e gjalla të vjeshtës duke pikturuar fshatin e vendosur në një pllajë me diell. Shtëpitë janë të mirëmbajtura dhe tokat të punuara. Sipas banorëve, edhe pse nga fshati ka pasur largime të të rinjve, popullsia vijon të punojë e të jetojë në tokat e veta. Kjo duket qartësisht në shtëpitë e reja dhe oborret e rrethuara.
Hotolishti ka qenë gjithnjë qendër e madhe administrative, e cila përfshin disa fshatra si Vulçani, Kokreva, Vehçani, Buzgara dhe Xhyra. Zona njihet për traditat e saj folklorike, këngët dhe vallen dyshe të zonës së Librazhdit, si dhe për prodhimet vendase bio.
Meqenëse ndodhet shumë pranë rrugës kombëtare e, si rrjedhojë, pranë Korridorit 8 në ndërtim, fshati është lehtësisht i arritshëm me rrugë të asfaltuar.
Shtegu drejt majës së Shebenikut
Një tabelë aty ku mbarojnë shtëpitë e fundit tregon se po hyjmë në parkun kombëtar të Shebenikut.
Shtegu që do të ndjekim këtë radhë do na çojë në majën më të lartë të parkut, mes pyjeve madhështore e të paprekura, ndërsa sfidës i shtohen ca re të zeza në qiell me të cilat do të bëjmë garë…
Pjesa më e madhe e udhës kalon mes pyjeve që në këtë stinë kanë shtruar tapet portokalli nga gjethet e rëna, ndërsa pemët tashmë të zhveshura kontrastojnë me grinë e tyre, që ia shton edhe ngjyra plumb e qiellit.
Ecja në këtë tapet gjethesh, mes aromave terapeutike të pyllit, është thjesht e pakrahasueshme. Zona ka ujë me bollëk, e kjo vërtetohet edhe nga gurgullima e përrenjve poshtë në luginën mes maleve të Shebenikut.
Mes pyllit gjejmë edhe një kamerë kurth të vendosur nga shoqatat e mbrojtjes së kafshëve. Rrugëtimi bëhet sfidues, ndërsa shtegu kalon transversal drejt majave të Shebenikut. Mjegulla tashmë po mbulon gjithçka, ndërsa hapat duhen hedhur me kujdes. Liqeni poshtë majës dallon paksa, por krejt peizazhi pas tij mbetet i fshehur.
Liqenet akullnajore dhe reliefi
Brenda Parkut Kombëtar Shebenik–Jabllanicë ndodhen të paktën 14 liqene akullnajore të vogla, të shtrira në cirqet malore, në lartësi nga 1,800 deri në 2,200 metra mbi nivelin e detit. Liqenet që kemi përballë majës shtrihen në shpatin verior të masivit të Shebenikut, në një qark kompleks akullnajor, në lartësi rreth 1,800–1,900 metra.
Gjatë dimrit liqenet ngrijnë, ndërsa dëbora mbulon gjithçka. Në pranverë, në ditë të kthjellëta, liqenet duken si rrathë blu mes kullotave alpine, ndërsa panorama shtrihet thellë në luginat e largëta.
Kreshta e Shebenikut lidh disa maja me njëra-tjetrën, ndërsa në tri anët e saj ndodhen grupe liqenesh akullnajore: Dragostunja në perëndim, Shebeniku (Rreshpa) në veri dhe Rrajca në lindje.
Ndërkaq, pyjet e Shebenikut janë pasuri e papërsëritshme, që i kanë qëndruar shekujve në shpatet e maleve të masivit, ndërsa poshtë, në lugina, rrjedhin lumenjtë e Qarrishtës dhe Bushtricës.
Këto dy lugina janë formuar fillimisht nga lugje akullnajore dhe më pas janë gdhendur nga rrjedhat ujore që zbresin nga masivi malor i Shebenikut dhe Jabllanicës.
Përveç dy lumenjve kryesorë, relievi i parkut përshkohet edhe nga disa degë dhe përrenj të vegjël malorë, si përroi i Hotolishtit dhe përroi i Rrajcës, të cilët krijojnë lugina të ngushta dhe gryka pyjore përgjatë shpatit perëndimor.
Fauna dhe flora e parkut
Parku Kombëtar Shebenik–Jabllanicë dominohet nga pyjet shekullore të ahut dhe halorët malorë, të cilët shërbejnë si habitat kryesor për gjitarë të rrallë, si rrëqebulli i Ballkanit dhe ariu i murrmë. Ky park shtrihet në lartësi nga 300 deri në 2,262 metra mbi nivelin e detit, duke krijuar një larmi të madhe ekosistemesh pyjore dhe alpino-malore.
Parku shërben si një biokorridor i rëndësishëm ballkanik për mbijetesën e faunës së egër, dhe kjo shpjegon vëmendjen e madhe nga shoqatat mjedisore. Zona është strehë e rrëqebullit të Ballkanit (një nga speciet më të rrezikuara në Evropë), ariut të murrmë, ujkut gri, dhisë së egër, kaprollit dhe derrit të egër.
Po ashtu, në pyje dhe lumenj jetojnë macja e egër, baldosa, lepuri i egër dhe lundërza (vidra), ndërsa në qiell mund të shihen shqiponja e malit, gjeraqina, buf, thëllëza e malit, qukapiku kurrizbardhë dhe qukapiku i gjelbër.
Në lumenjtë Qarrishtë dhe Bushtricë rritet trofta e kuqërremtë (trofta e egër), ndërsa në pyje hasen salamandra e zjarrit, breshkat dhe lloje të ndryshme hardhucash.
Në rrugëtimin tonë pamë disa lloje zogjsh, por asnjë nga kafshët e mëdha. Një salamandër me ngjyrat e saj të shkëlqyera ishte takimi më i këndshëm.
Kthimi drejt Librazhdit
Kthimi nga ana tjetër e parkut, drejt fshatrave më afër Librazhdit, po ashtu kalon mes pyjeve me drurë madhështorë, me trungje të fortë dhe me qilimin e verdhë nën këmbë. Dhe ja ku mbaron edhe gara me retë, ndërsa muzgu errëson pyllin. Shiu nis me furi dhe na shoqëron deri në fshatrat e parë pranë parkut. Rrugët e kësaj zone nuk janë të mirëmbajtura dhe penalizojnë banorët në jetesën e tyre të përditshme. Ujërat e shumta kanë krijuar rrëshqitje.
Ndërsa thahemi dhe ngrohemi në një nga lokalet e zonës, askush nuk e përmban entuziazmin pas një dite që nisi me diell në Hotolisht dhe përfundoi “sa hap e mbyll sytë” pas 20 kilometrash në Librazhd.
Burimi: kultplus.com










