Pas publikimit të Progres-Raportit vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë, edhe Partia Demokratike ka reaguar.
Reagimi i PD-së
Në reagimin e saj, PD liston disa gjetje që sipas tyre vërtetojnë dështimet e qeverisë.
Raporti i Komisionit Evropian 2026 për Shqipërinë, në mënyrë të përmbledhur:
- 1 Evidenton mosfunksionimin demokratik të Parlamentit dhe cenimin e të drejtave kushtetuese të opozitës.
- 2 Evidenton se korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë reale për Shqipërinë.
- 3 Evidenton shkeljen e parimit të barazisë përpara ligjit në çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
- 4 Evidenton moszbatimin nga shumica parlamentare të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
- 5 Evidenton nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, që është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
- 6 Evidenton se reforma territoriale dhe administrative në zhvillim, e shoqëruar me një tendencë drejt ricentralizimit, ka krijuar pasiguri për njësitë e vetëqeverisjes vendore.
- 7 Evidenton kapjen e shtetit nga partia në pushtet, përmes politizimit të të gjitha emërimeve në institucionet e pavarura kushtetuese dhe ligjore.
- 8 Evidenton se Avokati i Popullit u zgjodh vetëm me votat e shumicës qeverisëse, duke thyer traditën e konsoliduar të konsensusit ndërpartiak.
- 9 Evidenton që Qeveria ka ndërmarrë nisma ligjore që nuk përputhen me acquis-in e BE-së dhe standardet evropiane, përfshirë miratimin e një ndryshimi në ligjin për portet turistike.
- 10 Evidenton nevojën për forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Protesta dhe kërkesa e opozitës
Sipas PD-së, të gjitha këto janë arsye për të cilat studentët, të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë protestojnë prej ditësh e muajsh. Partia thekson se këto problematika nuk mund të zgjidhen nga Edi Rama, i cili, sipas tyre, është shkaku i tyre, prandaj zëri i të rinjve duhet të dëgjohet.
PD kërkon largimin e Edi Ramës, një qeveri kujdestare që të përgatisë vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe plotësimin e kushteve për anëtarësim në BE.
Burimi: lajmifundit.al










