Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Tensione në protestë: protestuesit rrethojnë furgonin e policisë pas shoqërimit të Edison Likës

Tensione në protestë: protestuesit rrethojnë furgonin e policisë pas shoqërimit të Edison Likës
Foto: shqiptarja.com

Tensione në protestë: Protestuesit kundërshtojnë shoqërimin e Edison Likës dhe Dritan Goxhajt, rrethojnë furgonin dhe përplasen fizikisht me policinë

Policia shoqëroi Edison Likën dhe Dritan Goxhajn pasi refuzuan gjobën sipas aktit normativ. Ata kundërshtuan efektivët kur u kërkuan dokumentet e identifikimit për plotësimin e procesverbalit të kundërvajtjes administrative. Protestuesit tentuan t’i nxjerrin nga furgoni dhe u përplasën me policinë. U mblodhën edhe para Drejtorisë së Policisë.

Protesta e mbrëmjes së sotme u shoqërua me tensione, ku një grup protestuesish u përplasën fizikisht me efektivët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke rrethuar edhe një furgon policie. Shkak i përplasjes ishte shoqërimi i dy protestuesve, Edison Likës dhe Dritan Goxhajt, të cilët kanë qenë aktivë edhe në të ashtuquajturin “Revolucioni Flamingo”.

Policia u kërkoi të dyve mjetin e identifikimit, për t’i gjobitur në bazë të aktit normativ që ka nisur të zbatohet ndaj protestuesve që kryejnë akte dhune. Lika dhe Goxhaj kundërshtuan, dhe efektivët ndërhynë duke i shoqëruar për në komisariat.

Ky moment sollli edhe reagimin e protestuesve të tjerë, të cilët ndërhynë për të nxjerrë Likën dhe Goxhajn nga makina. Siç shihet në pamjet e sjella nga Report Tv, protestuesit rrethuan furgonin dhe u përplasën ashpër me policët. Disa prej tyre tentuan të hapin edhe bagazhin e makinës në përpjekje për t’i nxjerrë, por policia arriti t’i zbrapsë. Pas kësaj, grupi i protestuesve u mblodh para Drejtorisë së Policisë.

“Duke qenë se janë arrestuar pa të drejtë, përveç tyre edhe mbrëmë janë shoqëruar disa të tjerë, duam shpjegim. Në këtë rast janë arrestime”, tha aktivisti Arben Kola.

Pas lirimit, dy protestuesit lanë ambientet e komisariatit.

“Është një kundravajtje administrative dhe policia arreston njerëzit për kundravavajtje administrative, është e paligjshme”, tha Dritan Goxhaj.

Protestuesit marshuan gjithashtu te komisariati nr. 2.

Gjatë paradites, një grup protestuesish u mblodhën para Ministrisë së Arsimit dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë me thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”.

Rendi i zhvillimeve sipas orarit

Ora 21:22 – U arrestua pasi refuzoi gjobën, protestuesi Goxhaj: Janë të paligjshme, nuk e arsyetuan! Policët, mercenarë (VIDEO)

Shoqërimi në komisariat i Dritan Goxhajt dhe Edison Likës ndodhi për shkak të refuzimit të tyre për të pranuar gjobat që aplikohen me aktin e ri normativ për tubimet.

Pas daljes nga komisariati, aktivisti Goxhaj thotë se u gjobitën në mënyrë të paligjshme, pasi kishin bërë një njoftim lidhur me protestën. Më tej, ai hodhi akuza ndaj policisë duke i quajtur “mercenarë”, ndërsa s’munguan as etiketimet për kryeministrin Rama.

“Është një kundravajtje administrative dhe policia arreston njerëzit për kundravavajtje administrative, është e paligjshme. U vë gjobë për tubim të paligjshëm, tubimi është i lajmëruar që është pa afat deri në dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, te kryeministria, ishim brenda orarit të përcaktuar në këtë leje, në vendin ku është përcaktuar leja dhe policia ndalon njerëzit në bulevard dhe u kërkon dokumentacionin. Është totalisht e paligjshme ta kërkosh këtë. Na komunikuan gjobën, as firmosëm, as pranuam ta marrim. Nuk arsyetuan asgjë. Kanë marrë një urdhër, është një polici tërësisht mercenare në shërbim të një banditi që është Ed Rama, si bandë. Jemi në kushtet e një banditizmi të hapur qeveritar. Policia është thjesht mercenare e një banditi që pretendon se është kryeministër i një vendi”, tha Goxhaj.

Ora 20:50 – U shoqëruan gjatë protestës, lirohen Edison Lika dhe Dritan Goxhaj! Një grup protestuesish në takim me drejtorin e Policisë së Tiranës (VIDEO)

Edison Lika dhe Dritan Goxhaj janë liruar nga komisariati, pasi u shoqëruan nga policia gjatë protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Shoqërimi i tyre shkaktoi tensione dhe përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve, ndërsa një grup protestuesish rrethoi furgonin e policisë në përpjekje për t’i nxjerrë ata.

Pas lirimit, dy protestuesit kanë lënë ambientet e komisariatit. Ndërkohë, raportohet se një grup protestuesish është aktualisht në takim me drejtorin e Policisë së Tiranës. Pas shoqërimit të Likës dhe Goxhajt, ata marshuan drejt Drejtorisë së Policisë dhe më pas te komisariati numër 2 në Tiranë.

Tensione në protestë: protestuesit rrethojnë furgonin e policisë pas shoqërimit të Edison Likës

Ora 20:38 – Protestuesit përplasje me policinë/ Bardhi: Vendosja e gjobave në kundërshtim me ligjin, e drejta për protestë duhet të garantohet, jo ndëshkohet

Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas përplasjes së protestuesve me efektivët e Policisë, pasi këta të fundit shoqëruan Edison Likën dhe Dritan Goxhajn. Të dy refuzuan t’u vinin efektivëve në dispozicion dokumentet e identifikimit për plotësimin e gjobës.

Bardhi thotë se vendosja e gjobave po bëhet në kundërshtim me ligjin dhe u kërkon ndërkombëtarëve të reagojnë. Ai thekson se e drejta për protestë duhet të garantohet dhe jo të ndëshkohet.

“Dënoj me forcë pengimin që Policia e Shtetit po i bën qytetarëve që në mënyrë paqësore po ushtrojnë të drejtën e tyre të protestës. E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare. Ajo nuk mund të cenohet, të intimidohet apo të shuhet përmes dhunës policore, shoqërimeve të paligjshme në komisariate apo vendosjes së gjobave në kundërshtim me ligjin. Çdo përpjekje për të penguar qytetarët në ushtrimin e kësaj të drejte përbën një cenim të papranueshëm të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit të ndalojë menjëherë çdo praktikë të tillë dhe të përmbushë detyrimin e saj ligjor për të garantuar ushtrimin e lirë dhe paqësor të së drejtës për protestë dhe tubim për çdo qytetar. Policia nuk duhet të jetë instrument presioni apo intimidimi ndaj qytetarëve që ushtrojnë një të drejtë kushtetuese. Çdo shkelje, çdo pengim i paligjshëm dhe çdo akt dhune ndaj protestuesve duhet të hetohet dhe të mbajë përgjegjësi përpara ligjit.

Njëkohësisht, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe partnerëve të Shqipërisë që të mbajnë një qëndrim të qartë dhe publik ndaj këtyre praktikave, të cilat bien ndesh me standardet demokratike dhe angazhimet ndërkombëtare që Shqipëria ka marrë përsipër të respektojë. Mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore nuk mund të jetë çështje e interesave politike apo e rrethanave të momentit.

Heshtja përballë cenimit të lirive themelore nuk është neutralitet. Ajo rrezikon të kthehet në mbështetje të heshtur për abuzimin me pushtetin. Në një demokraci, zëri i qytetarit nuk shuhet me dhunë, nuk frikësohet me gjoba dhe nuk ndalet me shoqërime policore. E drejta për të protestuar duhet të garantohet, jo të ndëshkohet”, shkruan Gazment Bardhi.

Ora 20:24 – Shoqërimi i protestuesve, organizatori Kola: U arrestuan pa të drejtë, duam sqarime! Gjobat, qesharake (VIDEO)

Një grup protestuesish që kanë shkuar te Drejtoria e Policisë, mes tyre edhe një prej organizatorëve, Arben Kola, kërkojnë shpjegime për shoqërimin e të shoqëruarve.

“Nuk ka kërcënim, nuk ka shantazh që do ta rrëzojë këtë lëvizje popullore deri në rrëzimin e Ramoviçit, që ta kuptojnë të gjithë shqiptarët. Drejtoria është përgjegjëse duke qenë se ne e kemi bërë njoftimin që më 31 maj dhe është në vazhdimësi, pa afat. Duke qenë se janë arrestuar pa të drejtë, përveç tyre edhe mbrëmë janë shoqëruar disa të tjerë, duam shpjegim. Në këtë rast janë arrestime. Gjobat janë qesharake, nuk janë të bazuara në Kushtetutë”, tha aktivisti Kola.

Një prej kërkesave të tyre është edhe komunikimi me drejtues të policisë.

Ora 20:11 – Shoqërimi i aktivistëve Goxhaj e Likaj, protestuesit shkojnë te Drejtoria e Policisë (VIDEO)

Pas shoqërimit të Dritan Goxhajt dhe Edison Likës nga efektivët, protestuesit marshuan te Drejtoria e Policisë.

“Polici e krimit”, thërrasin ata.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha