Që nga muaji tetor, Ministria e Bujqësisë ka vendosur të analizojë çdo ngarkesë misri për kafshë që importohet në Shqipëri. Megjithatë, sipas ish-ministrit të Bujqësisë Edmond Panariti, kjo masë nuk ka ndalur prodhimin e aflatoksinës në fermat shqiptare.
“Është edhe pak qesharake sepse gjithmonë kërkohet një armik i jashtëm për të shkarkuar përgjegjësinë”.
Problemi qëndron te infrastruktura
Sipas Panaritit, fajin nuk e ka origjina e ushqimit blegtoral, por mungesa e infrastrukturës. Bari dhe misri vazhdojnë të qëndrojnë në qiell të hapur dhe jo në magazina.
“Në qoftë se ti nuk garanton nivelin e garantuar të lagështirës dhe tharjen e ushqimit para se t’i jepet kafshëve, pavarësisht nëse vjen nga Serbia, Gjermania, Franca apo prodhimi lokal, e ka të garantuar që do të ndodhë”.
Aflatoksina do të vazhdojë të jetë në qumësht për aq kohë sa fermerët nuk do të mbështeten për ndërtimin e magazinave të reja.
Buxheti dhe fondet IPARD
Rritja e kafshëve në ferma moderne nuk mund të realizohet me buxhetin e ministrisë së bujqësisë. Shuma prej 17,9 miliardë lekësh është e pamjaftueshme përballë nevojave të blegtorisë sonë. Sipas tij, ky realitet mund të ndryshojë vetëm kur BE t’i besojë përsëri Shqipërisë programin IPARD.
“Fondet IPARD për këtë punë ishin, por prej 3 vitesh i kemi të bllokuara. Po të shikojmë Malin e Zi apo Serbinë, ata nuk e kapërcenin kurrë masën e përfitimit prej 50 mijë eurosh, kjo për të dhënë mundësi përfitimi dhe përmirësimi të infrastrukturës për të gjithë.”
Presioni për qumësht importi
Presioni i BE po i detyron fabrikat të furnizohen me qumësht importi. Kjo formë e re tregtie e shpëton industrinë, por jo prodhimin vendas.
Burimi: top-channel.tv










