Gjergj Hani ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare dy ditë më parë. Në ditën e vdekjes së tij, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit publikoi disa informacione rreth rrugëtimit të tij dhe një foto gjatë arrestimit të parë në vitin 1985, kur ishte vetëm 16-vjeç.
Arrestimi i parë dhe dënimi
Regjimi komunist e shpalli tradhtar të atdheut, sepse kishte guxuar të kërkonte lirinë përtej kufirit. Ai u qëllua me kallashnikov teksa përpiqej të arratisej. Më pas u dënua dhe u dërgua të punonte në minierat e Qafë Barit. Më vonë do të arrestohej sërish, dhe një pjesë të rinisë e kaloi pas hekurave të burgjeve politike.
Gjithçka nisi natën e 27 majit 1985. Rreth orës 23:30, 16-vjeçari tentoi të arratisej përmes liqenit në zonën e Linit, në Pogradec. Dritat e postës kufitare e zbuluan dhe ndaj tij u hap zjarr me kallashnikov. Për t’i shpëtuar vdekjes, u detyrua të dorëzohej.
Gjyqi publik
Regjimi vendosi ta kthente dënimin e tij në një shembull publik. Gjyqi u zhvillua përpara kolektivit të shkollës “Naim Frashëri” në Durrës, ku adoleshenti u akuzua për tradhti ndaj atdheut. Më 1 korrik 1985, Gjykata e Durrësit e dënoi me pesë vjet burg.
Ai u dërgua në burgun famëkeq të Qafë Barit, ku, megjithëse ende i mitur, u detyrua të punonte në minierë. Më pas u lirua më 13 janar 1986, falë amnistisë së përgjithshme.
Arrestimi i dytë
Por përndjekja nuk kishte përfunduar. Më 24 korrik 1987, Gjergj Hani u arrestua përsëri në Durrës. Këtë herë u akuzua sërish për tradhti ndaj atdheut, edhe pse nuk kishte ndërmarrë asnjë përpjekje për arratisje.
Në nëntor 1987, gjykata e dënoi me 11 vjet burg dhe ai u dërgua sërish në Qafë Bari, aty ku kishte kaluar një pjesë të adoleshencës. Liria erdhi vetëm më 6 shkurt 1991, kur regjimi komunist po jetonte muajt e fundit të ekzistencës së tij. Një muaj më vonë, Gjergj Hani emigroi në Itali, në kërkim të asaj lirie për të cilën ishte burgosur dy herë në Shqipëri.
Dokumentet e dosjes
Në fotografinë e publikuar, Gjergj Hani është 16 vjeç. Ajo është fotografia e arrestimit të tij të parë, në maj të vitit 1985, dhe ruhet në dosjen formulare nr. 5431, të kategorisë 2/A, në Arkivin e Autoritetit të Dosjeve. Në të dyja burgimet, ai kaloi rreth katër vjet e dy muaj pas hekurave.
Sipas vendimit gjyqësor, roja kufitare e pikasi kur po notonte dhe i bëri thirrje të ndalonte. Ai vazhdoi, roja qëlloi me breshëri, dhe nga frika se mos vritej, u kthye në breg, ku e ndaluan ushtarët e kufirit. Në arsyetimin e vendimit, gjykata përmendi se ai ndiqte programet e televizionit jugosllav dhe se shpresonte të shkonte te një i afërm në Austri.
Dosja formulare vijon edhe pas daljes së tij nga burgu. Sigurimi i Shtetit vazhdoi ta mbikëqyrte dhe të mblidhte dëshmi për bisedat e tij. Në njërën prej tyre, i atribuohen fjalët “Do të arratisemi” dhe pohimi se jashtë shtetit jetohej më mirë.
Gjergj Hani u njoh me dokumentet që Sigurimi i Shtetit kishte krijuar për të në maj të vitit 2019. Ai ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare. Ngushëllime familjes dhe të gjithë atyre që e njohën.
Burimi: shqiptarja.com










