Sulmi me molotov në Bulevard
Momente tejet të rrezikshme për jetën u regjistruan gjatë protestës së 28 Nëntorit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një efektiv policie u goditua nga një bombë molotov dhe mori flakë. Sipas pamjeve, protestuesit e dhunshëm e hodhën molotovin drejt grupit të policëve, dhe efektivi u përfshi nga flakët. Kolegët e tij ndërhynë menjëherë dhe arritën të shuajnë zjarrin.
Dyshimet për një skenar të paramenduar
Sulmi ndaj policëve me molotov duket se ka qenë i parapërgatitur, si pjesë e një skenari kriminal të organizatorëve të protestës së dhunshme. Qëllimi, sipas dyshimeve, ishte shkaktimi i viktimave, përshkallëzimi i dhunës dhe provokimi i destabilizimit. Dy orë pas incidentit, në një nga grupet e komunikimit të organizatorëve u bë thirrje “për të djegur të gjallë ndonjë polic”.
Thirrjet për dhunë dhe reagimi politik
Në të njëjtin grup komunikimi jepen direktiva për akte dhune në qytet, djegie, shkatërrim dhe plaçkitje ndaj institucioneve shtetërore, bizneseve private dhe policisë, por pjesa më e rëndë janë thirrjet për vrasje. Pamjet e sulmit ndaj policit u ndanë nga kreu i grupit të PS, Taulant Balla, i cili e cilësoi sulmin si “tentativë për vrasje”. Në postimin e tij, Balla shkroi: “Kjo është tentativë për vrasje! Polici merr flakë nga bombat molotov dhe prapë Policia e ka fajin?! Kjo është mjaft! Apo prapë të hënën do dalë dikush në gjykatën e Tiranës dhe do thotë nuk ka prova për dhunë”.
Burimi: shqiptarja.com










