Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Meksika, Peru dhe Kili takojnë Xi në samitin e APEC-ut në Shenzhen

Meksika, Peru dhe Kili takojnë Xi në samitin e APEC-ut në Shenzhen
Foto: ata.gov.al

MEKSIKË, 18 nëntor /ATSH-ANSA/ – Presidentët e Meksikës, Perusë dhe Kilit zhvilluan takime dypalëshe me presidentin kinez Xi Jinping, gjatë samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) që po zhvillohet në Kinë. Fokusi i takimeve ishte forcimi i marrëdhënieve tregtare, investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik.

Meksika: marrëdhënie të reja me Kinën

Gjatë takimit me Xi Jinping, presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, tha se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë në një epokë të re, të mbështetur në lidhje të forta miqësore.

Ajo rikonfirmoi angazhimin e Meksikës për marrëveshje shumëpalëshe dhe ftoi presidentin kinez të vizitojë vendin e saj në vitin 2028, kur Meksika do të presë samitin e ardhshëm të APEC-ut.

Sheinbaum foli gjithashtu për marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se Meksika vazhdon të diskutojë bashkëpunimin ekonomik me Uashingtonin dhe do të veprojë gjithmonë në interes të vendit. Gjatë qëndrimit në Kinë, ajo u takua edhe me kryeministrin kanadez Mark Carney, duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes tre vendeve të Amerikës së Veriut.

Peru: ndihmë financiare për emergjencën klimatike

Presidentja e Perusë, Keiko Fujimori, siguroi nga Kina një donacion prej 21,3 milionë eurosh, rreth 22,5 milionë dollarësh, për përballimin e emergjencës së shkaktuar nga fenomeni klimatik “El Nino”. Ajo rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e Perusë për politikën e “Një Kinë të vetme”, sipas së cilës Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij.

Kili: minerale dhe përpunimi vendas

Presidenti i Kilit, José Antonio Kast, pavarësisht disa mosmarrëveshjeve të fundit diplomatike, rikonfirmoi rëndësinë e Kinës si partner historik dhe destinacion kryesor për eksportet kiliane të mineraleve dhe produkteve bujqësore.

Duke folur në forumin e biznesit, Kast tha se vendet që prodhojnë minerale duhet të zhvillojnë edhe përpunimin e tyre brenda vendit, në vend që t’i eksportojnë vetëm si lëndë të para. Sipas tij, këto vende duhet të investojnë në teknologjitë e veta për të rritur vlerën e produkteve dhe për të zhvilluar industrinë vendase.

Konteksti rajonal

Takimet zhvillohen në një kohë kur Kina dhe Shtetet e Bashkuara konkurrojnë për ndikim ekonomik dhe tregtar në Amerikën Latine, ndërsa vendet e rajonit synojnë të ruajnë marrëdhënie të qëndrueshme me të dyja fuqitë. //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha