Një gjykatë turke dënoi të mërkurën kryetarin e burgosur të Stambollit dhe kandidatin presidencial Ekrem Imamoglu me dy vjet e një muaj burg dhe i vendosi atij një ndalim politik për manipulim të dyshuar të votave në kongresin e Partisë Republikane Popullore, CHP, në vitin 2023.
Tetë të pandehur të tjerë, përfshirë kryetarin e provincës së Stambollit të Partisë së Re, Ozgur Celik, morën të njëjtin dënim, ndërsa tre të tjerë u liruan nga akuzat. Ndalimet nuk do të hyjnë në fuqi nëse dënimet nuk mbështeten në apel.
Reagimi i Çelikut
Çelik kritikoi procedurat, duke përmendur lirimin nga akuzat të kryetarit të bashkisë së Izmirit, Cemil Tugay, një ish-politikan i CHP-së i cili së fundmi iu bashkua Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
“U tha se Ozgur Celik dhe Cemil Tugay po shpërndanin para te delegatët”, i tha Celik gjykatës.
“Cemil Tugay lirohet nga akuzat, ndërsa Ozgur Celik merr një dënim me burg dhe një ndalim politik. Çfarë lloj sistemi të dyfishtë drejtësie është ky? A duhet që dikush në këtë vend të tradhtojë kauzën e tij dhe të kalojë te AKP-ja për t’u liruar nga gjykata?”, tha ai më tej.
Partia e Re dhe gjyqi në Stamboll
Partia e Re u themelua në korrik nga Ozgur Ozel dhe 90 ligjvënës të tjerë që u larguan nga CHP pasi një gjykatë anuloi kongresin e vitit 2023 që zgjodhi Ozel kryetar dhe rivendosi në detyrë paraardhësin e tij, Kemal Kilicdaroglu.
Vendimi i së mërkurës është dënimi i dytë me burg që mbart një ndalim politik të vendosur ndaj Imamoglut. Dënimi i parë ishte për fyerje të një zyrtari publik.
Ndërkohë, Imamoglu është në gjyq në rastin shumë më të madh të korrupsionit në Bashkinë e Stambollit.
Prokurorët e akuzojnë atë për drejtimin e një organizate kriminale dhe kryerjen e veprave penale duke përfshirë ryshfet, mashtrim, pastrim parash dhe manipulim ofertash, duke kërkuar 2,352 vjet burg.
Imamoglu dhe Partia e Re i mohojnë të gjitha akuzat. Gjyqi, që përfshin më shumë se 400 të pandehur, mbetet ende në vazhdim.
Burimi: euronews.al










