Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Ish-kreu i veteranëve të UÇK Besim Hoda themelon Lëvizjen Një

Ish-kreu i veteranëve të UÇK Besim Hoda themelon Lëvizjen Një
Foto: gazetaexpress.com

Po paralajmërohet formimi i një partie të re në Maqedoninë e Veriut. Ish-kryetari i shoqatës së veteranëve të UÇK-së, Besim Hoda, pritet ta promovojë Lëvizjen „Një” me 27 nëntor në Shkup.

Vetë Hoda ka thënë se kjo parti do të jetë „mikpritëse” dhe me „dyert hapur”, si për shqiptarët ashtu edhe për maqedonasit dhe për komunitetet e tjera që jetojnë në RMV.

Qëllimi dhe kritika ndaj klasës politike

Hoda thekson se qëllimi është t’u ofrohet qytetarëve të këtij shteti një rrugëdalje nga situata politike, pasi, siç thotë ai, „asgjë nuk ka ndryshuar” prej 35 vitesh. Sipas tij, tani është koha që të bien „maskat e politikanëve që shesin patriotizëm të rremë”.

„Qëllimi është t’u ofrojmë qytetarëve një rrugëdalje nga kjo ngërç politik që na ka kapluar dhe në të cilin ndodhemi tashmë prej 35 vitesh. U plakëm, ndërsa asgjë nuk ndryshoi. Është koha të bien maskat e politikanëve që qytetarëve u shesin patriotizëm të rremë dhe fitojnë pikë politike përmes nacionalizmit. Ata pasurohen, ndërsa humbës është populli. Nëse ekziston një diell, atëherë duhet të jetë një shtet për të gjithë ata që jetojmë këtu”, thotë Hoda.

Çështja e UÇK-së dhe prezantimi politik

Në intervistën e dhënë për gazetën „Sloboden Peçat”, Hoda u pyet pse prezantohet si ish-kryetar i Veteranëve të UÇK-së. Ai tha se është gabim i madh që dikush të prezantohet si kryetar dhe theksoi se UÇK-ja është kapital kombëtar i shqiptarëve, por edhe i gjithë Maqedonisë, e cila është ndërtuar mbi Marrëveshjen Kornizë.

„UÇK-ja është kapital kombëtar i shqiptarëve, por pse të mos jetë edhe i gjithë Maqedonisë, e cila është ndërtuar mbi Marrëveshjen Kornizë. Prandaj nuk dua të jem pjesë e manipulimit, siç ka ndodhur më herët, kur disa ish-komandantë dhe përfaqësues të UÇK-së u hodhën në politikë në emër të gjakut të derdhur dhe sakrificës për çështjen shqiptare. Koha tregoi se ata përfituan vetëm për interesat e tyre personale, duke u fotografuar një herë në vit te varret e dëshmorëve. Ky kapital e ndryshoi Kushtetutën dhe për këtë arsye askush nuk duhet të prezantohet apo të hidhet në skenën politike duke u mbështetur në gjakun e shqiptarëve”, thotë Hoda.

Kritika ndaj partive shqiptare dhe maqedonase

Hoda thotë se duhet të „dëshmohet se për 35 vjet u kemi shërbyer patriotëve të rremë”. Sipas tij, në RMV nuk ka shumë parti, dhe ka lidhje mes BDI-së, VLEN-it dhe partive në bllokun maqedonas.

„Do të dëshmojmë se për 35 vjet u kemi shërbyer patriotëve të rremë. Te pala maqedonase është për të ardhur keq që votohet për një parti etnike, e cila publikisht deklarohet kundër shqiptarëve. Ndërkaq, partitë shqiptare, duke u mbështetur në këtë, e ngrenë nacionalizmin shqiptar, ndërsa populli varfërohet. Nuk ka shumë parti. Në bllokun politik shqiptar kemi BDI-në një dhe BDI-në dy. VLEN-i është BDI-ja dy, sepse të dy bashkëkryetarët, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, më parë kanë qenë në BDI. Edhe në bllokun politik maqedonas është e njëjta gjë. Të njëjtët njerëz vetëm shtiren sikur do të sjellin diçka të re. Shembull i patriotit të rremë është ish-kryeministri Nikolla Gruevski. Ai për 10 vjet na ushqeu me romantizëm nacionalist, pastaj iku dhe sot jeton rehat në Budapest”, thotë Hoda.

Barazia qytetare dhe pozita e shqiptarëve

Hoda vlerëson se një shtet nuk mund të ndërtohet nëse palët brenda tij nuk trajtohen në mënyrë të barabartë, dhe thekson se maqedonasit duhet ta kuptojnë se shqiptarët nuk janë kundër tyre.

‘‘Pas konfliktit të vitit 2001, ne morëm hapa të gabuar. Aneksi C i Marrëveshjes Kornizë parasheh kompensimin e të dyja palëve në konflikt. Mbrojtësit janë heronj, ndërsa ish-pjesëtarët e UÇK-së edhe sot quhen terroristë. Ne nuk jemi kundër kompensimit të mbrojtësve, por shteti nuk mund të jetë nënë për njërën palë dhe njerkë për tjetrën. Përderisa gjaku i derdhur i shqiptarëve nuk përfshihet në Kushtetutë, Maqedonia nuk mund të jetë shtet i të gjithëve. Edhe nënat, edhe fëmijët e luftëtarëve të rënë duhet të trajtohen si qytetarë të ndershëm të Maqedonisë, në mënyrë që vendin ta ndiejnë si të tyrin, e jo të trajtohen si nëna dhe bij të terroristëve. Nuk mund të ndërtohet një shtet nëse të dyja palët nuk trajtohen në mënyrë të barabartë. Ka ardhur koha që maqedonasit ta kuptojnë se shqiptarët nuk janë kundër maqedonasve. Nga pesë shtetet fqinje, vetëm Shqipëria dhe Kosova nuk e kontestojnë identitetin maqedonas. Gjatë 35 viteve të fundit, kryeministrat kanë qenë maqedonas. Pse të mos hapet rruga edhe për një kryeministër shqiptar? Thelbi është që të mos shihet përkatësia etnike, por cilësia. Nëse, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët përbëjnë 26 për qind, atëherë gjatë një mandati katërvjeçar të kryeministrit, një vit duhet të jetë kryeministër një shqiptar. Vetëm kështu mund të përparojmë së bashku, mbi bazën e cilësisë dhe jo të përkatësisë etnike. Në pozitat e larta duhet të zgjedhim njerëzit më të aftë”, ka deklaruar ai.

Qëndrimi i lëvizjes dhe kritika ndaj ndryshimeve të kampeve

Hoda ka deklaruar se „Një” nuk do të nxitojë për të arritur diku dhe se kjo lëvizje „nuk mund të jetë pasqyrë e atyre që kanë ndodhur deri tani”. Ai ka kritikuar edhe zhvillimet në partitë e tjera, duke thënë se „ndryshimet e kampeve nuk merret vesh”, dhe se „Një” mundohet të ndërtojë „të ardhme të sigurt për fëmijët”.

“Po e them me shumë kompetencë që ne nuk nxitojmë për të arritur diku dhe nuk e kemi bërë këtë për zgjedhje. Ju e dini që ka një vit e ca që unë po paralajmëroj ndërtimin e një strukture, mirëpo duke qenë shumë i vetëdijshëm, unë dhe bashkëpunëtorët e mi, se cila është përgjegjësia që po marrim përsipër. Ne nuk mund të jemi një pasqyrë e atyre që kanë ndodhur deri tani dhe kjo do të përcaktojë, varësisht, a do të jemi të përgatitur, të gatshëm për ta mbrojtur kauzën për të cilën jemi thirrur”, u shpreh ai.

“Ne po mundohemi të ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë dhe jo një të ardhme më të sigurt për ne. Keni parë që ndryshimi i kampeve që po ndodh tani nuk merret vesh. Këtu ka një reaksion reversibil, i thonë, hyrje-dalje mes kampeve”, deklaroi ai.

Hoda theksoi gjithashtu se kjo lëvizje „e gjen veten shumë në kampin shqiptar”.

“Jo, unë do ta them. Ne e gjejmë veten shumë me kampin shqiptar’’, ka deklaruar në Alsat.

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha