Mëngjesin e kësaj të diele, kryeministri Edi Rama ndodhet në pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut, bashkë me kryeministrin Hristijan Mickoski, pasi nesër do të nisë “One Stop Shop”, me një ndalesë të vetme.
“One Stop Shop” synon kryerjen e kontrolleve vetëm në një postobllok policie dhe vetëm me një ndalesë, ndryshe nga ç’ka qenë më parë.
Sistemi i ri kufitar
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi sistemin e ri kufitar si një hap konkret dhe lehtësim të madh për miliona qytetarë. Ai e përshkroi kalimin nga kontrollet e dyfishta te besimi i ndërsjellë, duke përmendur gjithashtu bashkëpunimin strategjik për Korridorin 8.
“Unë kam përherë probleme me përkthimin kur vij në Maqedoni. Hedhim një hap konkret me këtë transformim për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi. Ne kemi një shprehje në shqip: beso dhe kontrollo. Deri tani, në këtë doganë ishim kontrollo, kontrollo, tani jemi beso, kontrollo.
Hapi tjetër: beso, beso, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin e përbashkët në BE. Dua ta përgëzoj kryeministrin maqedonas që jemi në një proces bashkëpunimi ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku. Padiskutim, njëra ndër to është të çojmë përpara Korridorin 8.
Falënderimet dhe hapat e ardhshëm
Në mbyllje, Rama tha se dëshiron t’i bashkohet kryeministrit Mickoski për të falënderuar ata që punuan për këtë ditë dhe për ta realizuar më në fund këtë transformim, që, siç tha ai, do t’u vlejë shumë njerëzve që kalojnë në këtë doganë. Do të vazhdohet me pikat e tjera për të njëjtin sistem.
“Kam edhe një ankesë për Hristianin. Përkthyesen më të mirë e mbajti për vete”, tha Rama.
Burimi: euronews.al










