Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Insajderi zbulon rolet në aksionin e Ferizajt për 136 kg marihuanë

Insajderi zbulon rolet në aksionin e Ferizajt për 136 kg marihuanë
Foto: insajderi.org

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet ndaj tre personave, Avdush Nuhiji, Taulant Etemi dhe Albina Cani, të dyshuar për trafikim ndërkufitar të narkotikëve, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kufiri 2”, gjatë të cilit u sekuestruan 136 kilogramë marihuanë.

Dosja e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar ekskluzivisht Insajderi, zbulon mënyrën se si ishte organizuar transportimi i drogës drejt Maqedonisë së Veriut, ndarjen e roleve mes të dyshuarve dhe përfshirjen e një personi të katërt, i cili ndodhet në arrati.

“Pasi që ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë qenë të përfshirë në sigurimin, transportimin dhe përcjelljen e një sasie të substancës narkotike të llojit marihuanë, me destinacion transportimin e saj në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Ferizajt që e ka siguruar Insajderi.

Rolet e të dyshuarve: Një veturë transportonte drogën, dy të tjera vëzhgonin rrugën

Sipas dosjes, grupi dyshohet se kishte përdorur disa automjete për të organizuar transportimin e drogës. Në këtë rast përmendet edhe një person tjetër, Jasir Bardi.

“Nga këto prova dhe të dhëna rezulton dyshimi se të pandehurit kanë vepruar në koordinim me njëri-tjetrin, duke ndarë paraprakisht rolet dhe detyrat, me qëllim të transportimit të substancës narkotike. Konkretisht, i pandehuri Avdush Nuhiji, së bashku me të pandehurën Albina Cani, dyshohet se kanë udhëtuar me automjetin VW Tiguan, duke përcjellë dhe vëzhguar rrugën para automjetit Audi A6, në të cilin transportohej substanca narkotike”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Ndërkaq, automjetin Audi A6, në të cilin dyshohet se transportohej droga, e drejtonte Taulant Etemi. Sipas Prokurorisë, Jasir Bardi kishte rolin e vëzhguesit dhe lëvizte përpara automjeteve të tjera.

“I pandehuri Taulant Etemi dyshohet se ka drejtuar automjetin Audi A6, në të cilin është gjetur substanca e dyshuar narkotike, ndërsa i pandehuri Jasir Bardi dyshohet se ka pasur rolin e vëzhgimit të rrugës duke lëvizur përpara automjeteve të tjera”, përshkruhet më tej në dosje.

Ndjekja policore dhe aksidenti me dy të lënduar

Operacioni policor për ndalimin e të dyshuarve është shoqëruar edhe me një aksident trafiku.

Sipas dosjes, Taulant Etemi nuk iu bind urdhrit të policisë për t’u ndalur, por vazhdoi lëvizjen me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar aksident në të cilin u lënduan dy persona.

“Pas identifikimit të automjeteve dhe tentimit të ndalimit nga ana e policisë, i pandehuri Taulant Etemi nuk u është bindur urdhrave policorë, por ka vazhduar ikjen me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar edhe aksident trafiku me lëndime ndaj dy personave”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Ndjekja përfundoi në afërsi të lokalitetit “Milenium”, ku Etemi humbi kontrollin mbi automjetin dhe u ndalua nga policia. Gjatë kontrollit, në veturë u gjet substanca e dyshuar narkotike.

“Në afërsi të lokalitetit ‘Milenium’, automjeti ka humbur kontrollin, ku pas ndërhyrjes policore është ndaluar dhe arrestuar i pandehuri Taulant Etemi, ndërsa në automjet është gjetur substanca e dyshuar narkotike”, thuhet në dokument.

Përveç veprës penale që lidhet me blerjen, posedimin dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, Taulant Etemi dyshohet edhe për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, për shkak të aksidentit të shkaktuar gjatë ikjes nga policia.

Prokuror i rastit, Valdet Avdiu, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për tre të arrestuarit: Avdush Nuhijin, Taulant Etemin dhe Albina Canin.

Në kërkesën për paraburgim, Prokuroria ka paralajmëruar se në këtë rast dyshohet të jenë të përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët ende nuk janë arrestuar.

“Gjithashtu, fakti se në këtë rast janë të përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët aktualisht ndodhen në arrati, tregon se hetimi ka dimension ndërkufitar dhe se ekziston mundësia reale e shmangies së procedurës penale, nëse të pandehurit lihen në liri”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Aksioni “Kufiri 2” dhe sekuestrimi i 136 kilogramëve marihuanë

Rasti është pjesë e operacionit policor të koduar “Kufiri 2”, të zhvilluar nga Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt, në kuadër të hetimeve për trafikim ndërkufitar të narkotikëve.

Gjatë këtij aksioni, sipas raportimeve, policia ka sekuestruar 121 paketime me marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 136.33 kilogramësh, vlera e të cilave në treg është raportuar të jetë mbi 250 mijë euro.

Operacioni është shoqëruar me ndjekje policore në magjistralen Ferizaj–Kaçanik, pasi njëri nga të dyshuarit nuk iu bind urdhrit për ndalim. Gjatë tentimit për t’u larguar, ai shkaktoi aksident trafiku, ndërsa ndjekja përfundoi në afërsi të lokalitetit “Milenium”, ku u arrestua.

Në kuadër të këtij aksioni janë arrestuar tre persona, ndërsa një tjetër, i identifikuar si Jasir Bardi, dyshohet se ndodhet në arrati.

Rasti po hetohet për trafikim ndërkufitar të narkotikëve, ndërsa Prokuroria ka paralajmëruar se hetimet mund të përfshijnë edhe persona të tjerë./Insajderi.org

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha