Drejtori i Burgut të Fierit, Arben Qalliu, ka akuzuar kryebashkiakun Erion Veliajn se po e përdor si “alibi” pretendimin se nuk po trajtohet siç duhet nga shteti, pasi ky i fundit refuzoi të paraqitet në Spitalin Memorial të Fierit për ndërhyrjen kirurgjikale të planifikuar për nesër. Sipas Qalliut, Veliaj e kishte argumentuar vendimin me faktin se “nuk është gati”.
Akuza e drejtorit të burgut
Qalliu theksoi se, pas kërkesave këmbëngulëse të avokatit dhe të vetë Veliajt për ndërhyrjen, duke u shprehur se gjendja shëndetësore po i rëndohej, kryebashkiaku refuzoi sot të paraqitet në spital. Sipas tij, kjo tregon se problemi nuk ishte vetë ndërhyrja, por “zhurma” dhe pretendimi se shteti nuk po e trajton siç duhet.
Shpjegimi i Veliajt
Nga ana e tij, Veliaj ka dhënë një shpjegim tjetër për refuzimin. Ai tha se i është drejtuar Gjykatës së Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (GJKKO) për të vendosur mbi ndërhyrjen kirurgjikale dhe se këmbëngul të operohet në Tiranë. “Unë i jam drejtuar GJKKO-së për të vendosur ajo mbi ndërhyrjen time kirurgjikale. Refuzoj të shkoj në spitalin Memorial Fier”, është deklaruar Veliaj.
Burimi: kohajone.com










