Kryeministri Edi Rama do të mbledhë ditën e sotme ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste në një takim në orën 09:30.
Takimi i Partisë Socialiste dhe zhvillimet politike
Takimi vjen në një moment të rëndësishëm zhvillimesh politike, pas protestave të dhunshme të zhvilluara disa ditë më parë në Tiranë, si dhe në kohën kur buxheti dhe paketa fiskale 2027 pritet të kalojnë sëshpejti në Kuvend.
Po sot, në orën 10:00, në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, do të bëhet prezantimi i projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2027” dhe i projektligjeve të paketës fiskale të cilat janë si më poshtë:
- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012, ‘Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
- Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.92/2014, ‘Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
- Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për Taksat Kombëtare”, të ndryshuar”.
- Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.29, datë 30.3.2023, ‘Për Tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”.
- Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, ‘Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Takimet me Presidentin për datën e zgjedhjeve
Ndërkohë po sot, në orën 09:00, përfaqësues të Partisë Socialiste do të zhvillojnë një takim me Presidentin Bajram Begaj për të diskutuar mbi datën e zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm. Takim me Presidentin për datën e zgjedhjeve, sot do të zhvillojnë edhe përfaqësues të Partisë Social-Demokrate të drejtuar nga Tom Doshi, në orën 11:00.
Burimi: shqiptarja.com










