Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur ftesën drejtuar partive të reja opozitare për të dalë me një kandidat të përbashkët në garën për Bashkinë e Tiranës. Në një deklaratë për mediat jashtë Parlamentit, Berisha theksoi se Partia Demokratike ka kandidaturat e saj, por synon krijimin e një koalicioni sa më të gjerë opozitar për të fituar drejtimin e kryeqytetit.
“Unë nuk e humb durimin. Ftesa ime nuk e ka në bazë faktin se ne nuk kemi kandidat. Ne kemi kandidatë të shkëlqyer, ju garantoj”, deklaroi Berisha. Sipas tij, bashkimi i forcave opozitare duhet të realizohet pavarësisht dallimeve politike apo qëndrimeve që partitë e tjera mund të kenë ndaj drejtimit të PD-së.
“Askush nuk ftohet të ndryshojë programin e tij, të ndryshojë qëndrimin ndaj Sali Berishës apo të ndryshojë platformën e tij. Jo, bashkohemi siç jemi kundër një armiku që është më i rrezikshmi sot për kombin dhe për vendin dhe pastaj të votohet lirisht”, u shpreh ai.
Refuzimet dhe qëndrimi i PD-së
Pavarësisht refuzimeve të deritanishme nga disa prej forcave opozitare, Berisha bëri të qartë se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga përpjekjet për një marrëveshje politike. “Unë përsëri kam durim, megjithëse i dëgjoj që refuzojnë. Por, në qoftë se janë të vërtetë në qëndrimin për largimin e Ramës, është absolutisht alfa që duhet të bashkohen të gjithë faktorët opozitarë”, deklaroi kreu demokrat. Berisha nënvizoi se një bashkëpunim i tillë nuk do t’u kërkonte partive të hiqnin dorë nga identiteti apo programet e tyre politike, ndërsa ritheksoi se PD mbetet e hapur për një kandidaturë të përbashkët në Tiranë.
Burimi: kohajone.com










