Siparantum Choir do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në festivalin ndërkombëtar “Songs of Europe”, i cili do të mbahet nga 19 deri më 23 nëntor 2026 në Pragë të Çekisë.
Gjatë këtij festivali, kori do të realizojë katër paraqitje koncertale në disa prej hapësirave të njohura kulturore dhe koncertale të kryeqytetit çek, duke prezantuar muzikën korale dhe krijimtarinë muzikore shqiptare para publikut ndërkombëtar.
Programi i koncerteve
Paraqitja e parë do të mbahet më 19 nëntor, në orën 18:00, në Pražská konzervatoř, në kuadër të koncertit mirëseardhës. Më 20 nëntor, kori do të interpretojë në Kostel svatého Martina ve zdi, në orën 14:00, ndërsa po atë mbrëmje, në orën 21:30, do të marrë pjesë në koncertin “EUPHONIA”, së bashku me kore nga Gjermania dhe Greqia. Programi do të përmbyllet më 21 nëntor, në orën 15:00, me koncertin gala “Songs of Europe”, në sallën prestigjioze Smetana Hall.

Repertori dhe ekipi artistike
Repertori i Siparantum Choir do të përfshijë vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, mes tyre Mark Kaçinari, Kreshnik Aliçkaj dhe Memli Kelmendi. Në piano do të shoqërojnë Agron Shujaku dhe Denita Dedushaj, ndërsa korin do ta drejtojë dirigjenti Memli Kelmendi, me Fidan Strumcakun si asistent dirigjenti.
Përveç koncerteve, koristët do të kenë mundësi të punojnë me dirigjentin Oliver Rudin, në kuadër të përgatitjeve të përbashkëta artistike për interpretimin e veprave korale në koncertin përmbyllës të festivalit, ku do të marrin pjesë të gjitha koret pjesëmarrëse.

Mirënjohje dhe rëndësia e pjesëmarrjes
Sipas komunikatës për media, kjo pjesëmarrje shënon një tjetër etapë në rrugëtimin artistik dhe ndërkombëtar të Siparantum Choir, duke krijuar mundësi për promovimin e kulturës dhe identitetit muzikor të Kosovës në skenën evropiane.
Për realizimin e këtij rrugëtimi, kori ka shprehur mirënjohje për Ambasadën e Republikës së Kosovës në Pragë dhe ambasadoren Albesjana Iberhysaj-Kapitaj, si dhe për organizatën ChoralSpace, donatorët, sponsorët dhe të gjithë përkrahësit që kanë kontribuar në këtë pjesëmarrje./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










