Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Eksponenti”
Arrestohet në Rrugën e Elbasanit, duke transportuar armë zjarri me motomjet, një 49-vjeçar me precedent të theksuar për krime kundër jetës dhe për armëmbajtje.
Sekuestrohen 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, jeleku antiplumb që i arrestuari kishte në banesë, si dhe motomjeti dhe celulari i tij.
Operacioni dhe arrestimi
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin e koduar “Eksponenti”. Operacioni u bazua në administrimin e shpejtë të informacioneve të siguruara gjatë punës operative. Në kuadër të tij u arrestua në flagrancë shtetasi E. D., 49 vjeç, banues në Tiranë.
Kontrolli i motomjetit dhe banesës
Motomjeti me të cilin lëvizte ky shtetas u ndalua për kontroll në Rrugën e Elbasanit. Gjatë kontrollit u gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, të cilën dyshohet se shtetasi E. D. do ta trafikonte.
Më pas, gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjet 1 jelek antiplumb.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Burimi: abcnews.al










