Prej disa javësh, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) është bërë veçanërisht aktiv në gjobitjen dhe tërheqjen e vëmendjes së televizioneve që transmetojnë debate me ton të ashpër. Gjobat dhe paralajmërimet janë bërë aq të shpeshta sa krijohet përshtypja se AMA po shndërrohet në një instrument të censurës politike dhe në një rregullator moral të debatit publik, ku një organ gjykon se çfarë është e drejtë dhe çfarë nuk është e drejtë të thuhet në televizion.
Ne besojmë se një gjykim i tillë nuk duhet t’i takojë një organi si AMA, i cili, ndonëse formalisht i pavarur, në praktikë është shprehje e Kuvendit dhe, rrjedhimisht, e një shumice politike. Nuk mund të kalojë pa u vënë re se ky zell ndëshkues përkon me një periudhë pritjeje institucionale, gjatë së cilës Armela Krasniqi, ish-zëdhënëse e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarja e AMA-s, e ka përfunduar mandatin dhe shpreson të rikonfirmohet në detyrë.
Një organ në pritje të rikonfirmimit
Është e çuditshme që, ndërsa mbi 130 drejtues të institucioneve publike janë detyruar të japin dorëheqjen për t’iu nënshtruar shqyrtimit nga një komision që do të analizojë punën e tyre, Krasniqi, megjithëse me mandat të përfunduar, ka qëndruar në detyrë.
Megjithatë, çështja nuk është e ardhmja e Armela Krasniqit, por pavarësia e saj në gjykim. Sa e paanshme mund të jetë një kryetare që shpreson të riemërohet?
Standarde të pabarabarta
Pyetja më e rëndësishme është përse AMA herë gjobit ose tërheq vëmendjen e drejtuesve të emisioneve që nuk distancohen nga shpifjet apo nga tonet e ashpra në studio, ndërsa herë të tjera mbron shpifjet e vetë drejtuesve të emisioneve, duke i konsideruar ato si ushtrim të lirisë së shprehjes. Pa standarde të qarta dhe të njëtrajtshme, vendimet e AMA-s lenë përshtypjen e zgjedhjes selektive, që dëmton besueshmërinë e vetë institucionit dhe lirinë e mediave.
Burimi: shqiptarja.com










