Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forum 26 ka njoftuar themelimin e Çmimit Letrar “Fjala”, një vlerësim që do të ndahet çdo vit për përkthyesit që kanë dhënë kontribut të veçantë në përkthimin dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë të ndryshme të botës.
Qëllimi i çmimit
Përmes këtij çmimi synohet të vlerësohet puna e përkthyesve që kanë bërë të mundur prezantimin e veprave të autorëve shqiptarë para lexuesve ndërkombëtarë, duke ndihmuar në përhapjen dhe afirmimin e letërsisë shqipe përtej kufijve gjuhësorë e kulturorë.
Data dhe vendi i ndarjes
Çmimi i parë, “Fjala 2026”, do të ndahet më 28 nëntor 2026, gjatë Takimit të Parë Mbarëkombëtar të Forum 26, me temën “Shqipja – Atdheu ynë i përbashkët”. Takimi do të mbahet në Hotel “Palata Venezia”, në Kalanë e Ulqinit, me mbështetjen e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi.
Me këtë iniciativë, Forum 26 synon të krijojë një traditë të re të vlerësimit të përkthyesve dhe të kontributit të tyre në ndërkombëtarizimin e letërsisë shqipe./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com










