Për shekuj me radhë, miliona vizitorë kanë admiruar lojën e dritës dhe hijeve në pikturën e famshme “Roja e natës” (The Night Watch), të artistit holandez Rembrandt van Rijn. Por një ekspozitë e re zbulon se në këtë kryevepër fshihet edhe një botë e padukshme, e përbërë nga mikroorganizma që mbulojnë sipërfaqen e saj.
Ekspozita me titull “The Night Watch Lives” sjell në vëmendje universin mikroskopik të një prej veprave më të njohura të artit të Epokës së Artë holandeze. Ajo është realizuar në bashkëpunim mes Muzeut Rijksmuseum, ku ruhet piktura, dhe muzeut Artis-Micropia në Amsterdam, i njohur për prezantimin e botës së mikroorganizmave.
Bakteret e gjetura në pikturë
Bakteret janë izoluar nga mostrat e marra gjatë gjashtë muajve, në rreth 60 pika të ndryshme të pikturës. Pas kultivimit në laborator, kolonitë bakteriale janë vendosur në enë Petri dhe ekspozohen përkrah një riprodhimi në përmasa reale të veprës së Rembrandtit.
Mikrobiologia Eline van Bloois ka treguar se në mesin e mikroorganizmave të identifikuar ka baktere që gjenden zakonisht në lëkurën e njeriut dhe në tokë. Sipas saj, ato nuk paraqesin rrezik për pikturën, ndërsa nuk është e mundur të përcaktohet nëse ndonjëri prej tyre ka qenë në veprën e Rembrandtit që nga koha kur është krijuar.
Një prej zbulimeve më befasuese ishte bakteri Microbacterium saccharophilum, i cili zakonisht gjendet në një rafineri sheqeri në Japoni. Ai u identifikua në një pjesë të pikturës ku ishte hequr llaku mbrojtës.
Shkenca dhe arti
“Bukuria e shkencës qëndron në faktin se bën një pyetje dhe merr 100 të tjera në këmbim”, ka thënë van Bloois, duke shtuar se bashkëpunimi mes artit dhe shkencës dëshmon se këto dy fusha janë shumë më të lidhura nga sa mund të mendohet.
Ekspozita synon të zgjojë kureshtjen e publikut për mikroorganizmat dhe jetën e padukshme që na rrethon çdo ditë. Ajo është pjesë e projektit kërkimor dhe restaurues “Operation Night Watch”, i cili zhvillohet që nga viti 2019 në Rijksmuseum, në një dhomë të posaçme prej xhami, të projektuar për studimin e kësaj kryevepre.
“The Night Watch Lives” hapet për publikun më 11 nëntor./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










