Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot dy seanca plenare, në të cilat do të shqyrtohen një sërë çështjesh me rëndësi institucionale dhe publike. Në mesin e pikave kryesore të rendit të ditës është rishqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilin presidentja e Kosovës ia ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim.
Seanca e parë, e cila është vazhdim i seancës së mëparshme, pritet të nisë në orën 10:00. Në rend dite janë tri çështje kryesore: gjendja në sektorin e shëndetësisë, furnizimi dhe çmimi i energjisë elektrike, si dhe ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Shëndetësia dhe rasti i pacientes me kancer
Gjatë kësaj seance, deputetët pritet të votojnë rezolutën lidhur me gjendjen në shëndetësi, pas interpelancës me ministrin Arben Vitia. Kjo rezolutë ndërlidhet me rastin e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur për katër muaj pa terapi, si dhe me mungesën e barnave onkologjike.
Energjia elektrike
Në votim do të jetë edhe propozim-rezoluta që buron nga mocioni përmbajtjesor lidhur me planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Burimi: insajderi.org









