Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

BE: dhuna me bazë gjinore mbetet e përhapur në Kosovë

BE: dhuna me bazë gjinore mbetet e përhapur në Kosovë
Foto: reporteri.al

Dhuna me bazë gjinore mbetet e përhapur në Kosovë, sipas raportit të fundit vjetor të Bashkimit Evropian për vendin.

“Dhuna me bazë gjinore mbetet e përhapur, përfshirë dhunën kibernetike, e cila prek veçanërisht gratë në jetën publike dhe gratë e reja”, thuhet në raport. Megjithatë, “reagimet e zyrtarëve publikë, institucioneve dhe organizatave për të drejtat e grave vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në sfidimin e diskriminimit, stereotipave dhe paragjykimeve me bazë gjinore”, thotë raporti.

Dhuna në familje dhe përgjegjësia institucionale

Raporti thekson se “dhuna në familje vazhdon të jetë forma më e raportuar e dhunës me bazë gjinore, ndonëse Kosova po bën përpjekje thelbësore për ta luftuar atë”.

Aty përmendet edhe roli i Koordinatorit Kombëtar, por shtohet se duhen personel dhe programe të mjaftueshme për të garantuar zbatim efektiv.

“Kosova miratoi të gjitha aktet nënligjore përkatëse në përputhje me Ligjin Kornizë për dhunën me bazë gjinore. Ministria e Drejtësisë publikoi një vlerësim afatmesëm të strategjisë për dhunën me bazë gjinore, pas një procesi gjithëpërfshirës dhe efikas konsultimi. Roli i Koordinatorit Kombëtar është përcaktuar në përputhje me dispozitat e Konventës së Stambollit. Megjithatë, duhet të sigurohen personeli dhe programet e mjaftueshme për të garantuar zbatimin efektiv të funksioneve përkatëse. Ndonëse është krijuar një bazë e integruar e të dhënave për rastet e dhunës në familje, e ndarë sipas gjinisë, moshës dhe përkatësisë etnike, ajo nuk përfshin të gjitha format e dhunës me bazë gjinore. Nëntë institucione ofrojnë të dhënat përkatëse, por ato regjistrohen në mënyrë jo të njëtrajtshme”, thuhet në raport.

Mbrojtja e viktimave dhe rehabilitimi i kryerësve

Pavarësisht përpjekjeve institucionale, raporti thotë se “sistemi i parandalimit dhe mbrojtjes për luftimin e dhunës me bazë gjinore mbetet i pamjaftueshëm”.

“Ndërsa financimi për shërbimet e specializuara të mbështetjes për viktimat ka vazhduar të rritet, duhet të vendoset një planifikim më sistematik dhe shumëvjeçar për të siguruar vazhdimësinë dhe për të ofruar mbështetje efektive dhe adekuate për viktimat. Programet e rehabilitimit për kryerësit e dhunës janë në fuqi”, thuhet në raport.

Roli i organizatave për të drejtat e grave

BE, në raportin e sivjetshëm, vlerëson rolin e organizatave për të drejtat e grave.

“Organizatat për të drejtat e grave vazhduan të luajnë një rol kritik në avancimin e barazisë gjinore. Megjithatë, kontributi i tyre afatgjatë në procesin legjislativ dhe në monitorimin e zbatimit të politikave është ndikuar nga mospërputhjet në proceset e konsultimit të Qeverisë”, thuhet në raport.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha