Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgim të përjetshëm Naim Murseli dhe Granit Plava, kurse me 30 vjet burgim Kushtrim Kokalla, për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore
Me aktgjykimin e 21 prillit 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Naim Murselin dhe Granit Plavën me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, pasi u shpallën fajtorë për vrasjen e Liridona Ademajt, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kolegji i Apelit në këtë rast përbëhet nga Mentor Hajra, kryetar, Xhevdet Abazi, gjyqtar referues dhe Arben Hoti, anëtar.
Motivi dhe planifikimi
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari Naim Murseli, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, si dhe për shkak të mllefit e dëshirës për hakmarrje, kishte bërë plan ta largonte Liridonën nga jeta e tij. Sipas aktgjykimit, pas datës 25 qershor 2022, kur ishte paguar polisa e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt, në shumën prej 3,000,000 krona suedeze, ai kishte synuar që, përveç vrasjes, të përfitonte edhe dobi financiare.
Gjendja mendore e të akuzuarve
Raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale. Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.
Deklarimet në seancën fillestare
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt. Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë, u dënua nga Themelorja me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Por, Gjykata e Apelit me vendimin e 10 dhjetorit 2025 ndryshoi vendimin e Themelores, duke e dënuar Dodajn me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për shitjen e armës.
Aktakuza
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava, me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës. Më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. Vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë u krye vrasja e tani të ndjerës.
Burimi: www.gazetaexpress.com









