Çmimet e larta të karburanteve kanë rënduar ndjeshëm barrën financiare të familjeve shqiptare. Që nga korriku i këtij viti, çmimi i një litri naftë ka kaluar 200 lekë, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet me çmimet më të larta në Europë, ndërkohë që paga mesatare në vend mbetet ndër më të ulëtat në kontinent. Si pasojë, ky çmim i lartë po ndryshon gradualisht mënyrën se si shqiptarët e përdorin automjetin.
Për rreth 74% të qytetarëve, shpenzimet për karburant zënë deri mbi 15% të buxhetit mujor, ndërsa 78,6% e përdoruesve kanë kufizuar përdorimin e makinës ose bëjnë më pak kilometra.
Këto të dhëna dalin nga një anketë online e realizuar nga revista “Monitor” me 384 persona, nga 16 shtatori deri më 6 tetor 2026, përmes platformës ECR (Engaged Citizens Reporting). 76% e të anketuarve ishin meshkuj.
Rezultatet duhet të lexohen si perceptime dhe sjellje të pjesëmarrësve në sondazh dhe jo si një matje përfaqësuese e të gjitha familjeve shqiptare, pasi kampioni nuk është përfaqësues.
Një problem tjetër që evidenton anketa është pamundësia për të investuar në automjete më ekonomike. Pothuajse gjysma e pjesëmarrësve deklarojnë se e kanë menduar ndryshimin e makinës, por nuk e përballojnë financiarisht. Kështu, familjet përballen me një zgjedhje të vështirë: të vazhdojnë të paguajnë kosto të larta për karburant ose të reduktojnë lëvizjet.
Rezultatet tregojnë një kërkesë pothuajse unanime për ndërhyrjen e shtetit, kryesisht përmes uljes së taksave.
Një nga gjetjet më interesante është gatishmëria e lartë për të përdorur më pak makinën nëse transporti publik përmirësohet, një sinjal se ndikimi ekonomik i çmimeve të karburanteve nuk mund të trajtohet vetëm përmes politikës fiskale.
Kjo lidhet edhe me investimet në infrastrukturë, organizimin e transportit dhe alternativat që kanë familjet për të përballuar nevojat e përditshme të lëvizjes.
Në afat të shkurtër, çmimi i naftës mbetet një faktor që ndikon në shpenzimet dhe fuqinë blerëse të familjeve. Në afat më të gjatë, ulja e varësisë nga automjeti privat dhe zhvillimi i alternativave më ekonomike të transportit mund të jenë po aq të rëndësishme sa ndërhyrjet e drejtpërdrejta në çmimin e karburanteve.
“Mbajtja e një automjeti krijon probleme me kostot, parkimin dhe gjithçka tjetër që lidhet me të, duke ngushtuar ndjeshëm të ardhurat. Përveç kësaj, përballemi edhe me probleme sigurie, duke pasur parasysh rrëmujën me të cilën janë planifikuar lëvizjet në qytetin e Tiranës”.
Karburanti merr mbi 15% të të ardhurave mujore për 40% të të anketuarve
Pesha e shpenzimeve për karburant në buxhetin familjar rezulton e konsiderueshme për një pjesë të madhe të pjesëmarrësve në anketë. Rreth 60% deklarojnë se shpenzojnë nga 5% deri në 15% të të ardhurave mujore për karburant.
Një kategori tjetër, 13%, deklarojnë se shpenzojnë nga 16% deri në 20%, ndërsa 14,4% e pjesëmarrësve paguajnë mbi një të pestën e të ardhurave mujore për karburant.
Në një familje me të ardhura mujore prej 120 mijë lekësh, një shpenzim për karburant i barabartë me 15% të të ardhurave përkthehet në 18 mijë lekë në muaj. Këto janë shuma që ndikojnë në aftësinë e familjeve për të përballuar kategori të tjera të konsumit.
Ndikimi mund të jetë veçanërisht i fortë për familjet që kanë detyrime financiare të tjera, si kredi apo qira.
74% e familjeve shpenzojnë më shumë se 15 mijë lekë në muaj për karburant
Shpenzimet për karburant përbëjnë një nga kostot e rëndësishme mujore për familjet që përdorin automjete.
Sipas rezultateve të anketës, 25,5% e pjesëmarrësve shpenzojnë nga 10 deri në 15 mijë lekë në muaj për karburant, ndërsa rreth 74% shpenzojnë mbi 15 mijë lekë në muaj.
21,1% deklarojnë shpenzime nga 15 deri në 20 mijë lekë. Rreth 19,5% shpenzojnë nga 20 deri në 30 mijë lekë në muaj, ndërsa 10,6% paguajnë mbi 30 mijë lekë.
Nëse këto shpenzime llogariten në bazë vjetore, barra financiare bëhet edhe më e dukshme. Një familje që shpenzon 15 mijë lekë në muaj paguan rreth 180 mijë lekë në vit për naftë ose benzinë. Për një familje me shpenzime mujore prej 25 mijë lekësh, fatura arrin në 300 mijë lekë në vit.
Këto shuma nuk përfshijnë siguracionin, taksat e automjetit, mirëmbajtjen, parkimin apo riparimet.
Nafta e shtrenjtë, 81% shohin taksat si shkakun kryesor
Barra fiskale është faktori që pjesëmarrësit në anketën e “Monitor” identifikojnë më shpesh si shkak të çmimeve të larta të karburanteve në Shqipëri.
Rreth 80,8% e të anketuarve përmendin taksat dhe detyrimet fiskale si një nga arsyet kryesore të nivelit të lartë të çmimeve. Pas tyre renditen abuzimet e mundshme dhe mungesa e transparencës në treg, të përmendura nga 55,4% e pjesëmarrësve. Rreth 40,7% identifikojnë si faktor të tretë pozitën dominuese të operatorëve të mëdhenj, ndërsa 35% përmendin si faktor të katërt konkurrencën e kufizuar.
Në të kundërt, vetëm 18,7% e pjesëmarrësve identifikojnë çmimin ndërkombëtar të naftës si një nga faktorët kryesorë dhe 6,5% kostot e importit dhe transportit.
98% kërkojnë masa nga shteti për uljen e kostos së naftës
Kërkesa për ndërhyrjen e shtetit në uljen e kostove të karburanteve është pothuajse unanime mes pjesëmarrësve në anketën e “Monitor”.
Nga 384 persona që iu përgjigjën kësaj pyetjeje, 97,9% shprehen në favor të ndërhyrjes, ndërsa vetëm 0,8% janë kundër. Pjesa tjetër, 1,3%, mbeten të pavendosur.
Përqindja shumë e lartë e mbështetjes tregon se kostoja e naftës dhe benzinës perceptohet si një problem që kërkon reagim nga institucionet publike.
Konsumatorët kërkojnë heqjen e taksës së qarkullimit dhe uljen e akcizës
Nëse qeveria do të ndërhynte për të ulur çmimin e karburanteve, pjesëmarrësit në anketën e “Monitor” do të preferonin kryesisht masa që lidhen me reduktimin e barrës fiskale.
Sipas rezultateve, 29,9% mbështesin heqjen e taksës së qarkullimit, duke e renditur këtë si masën më të preferuar. Në vend të dytë qëndron ulja e akcizës, e mbështetur nga 23,2% e pjesëmarrësve.
Një tjetër 14,6% kërkojnë uljen e taksave të tjera që rëndojnë mbi karburantet, ndërsa 7,8% shprehen në favor të uljes së TVSH-së.
Ndërkohë, 11,6% mbështesin forcimin e kontrollit të konkurrencës dhe marzheve të fitimit, ndërsa 7,3% kërkojnë masa të përkohshme gjatë periudhave kur çmimet rriten ndjeshëm.
Kërkesa për lehtësimin e barrës fiskale lidhet me faktin se Shqipëria ka transferuar një pjesë të madhe të barrës fiskale mbi naftën. Tatimet si TVSH-ja, akciza dhe taksa e qarkullimit përbëjnë 53% të çmimit final të një litri naftë.
Akciza është 39.4 lekë për litër, taksa e qarkullimit është 27 lekë për litër, taksa e karbonit 3 lekë për litër dhe TVSH 20% e llogaritur mbi çmimin e blerjes plus taksat. Më pas çmimit i shtohen kostot
Burimi: sot.com.al










