“Nuk gënjej, edhe pse nuk i them të gjitha”, shkruan kryeministri Edi Rama, ndërsa akuzon ata që, sipas tij, “tërë këto ditë po gatuajnë mish për top nëpër ekranet e tyre të korruptuara”.
Pikërisht këtu nis detyrimi i tij për të dhënë shpjegime. Sepse kur kryeministri i vendit akuzon publikisht media për korrupsion, qytetarët kanë të drejtë të dinë: Cilat janë ato? Kush janë pronarët? Për çfarë korrupsioni bëhet fjalë dhe ku janë provat?
Akuzat e kryeministrit për mediat
Rama nuk është një komentues i zakonshëm në rrjetet sociale. Është kreu i qeverisë dhe fjala e tij ka peshën e pushtetit. Një akuzë e tillë kërkon përgjegjësi, emra dhe fakte.
Nëse kryeministri disponon prova për veprimtari të paligjshme, le t’ua dorëzojë organeve kompetente. Le të hetohen dhe, nëse provohet përgjegjësia, të zbatohen pasojat ligjore. Asnjë pronar medie nuk duhet të ketë imunitet nga ligji për shkak të ekranit që zotëron.
Por asnjë gazetar nuk duhet të mbajë mbi shpinë akuzën e korrupsionit vetëm sepse pyet, kritikon apo transmeton qëndrime që bezdisin qeverinë.
Duke mos thënë emrat, kryeministri lë nën dyshim të gjithë median. Publiku mbetet të hamendësojë, ndërsa pushteti ruan mundësinë ta drejtojë akuzën sipas radhës ndaj kujtdo që e kundërshton. Kjo mënyrë komunikimi e mjegullon debatin dhe ushqen mosbesimin.
Edhe togfjalëshi “mish për top” është tepër i rëndë për t’u hedhur e për t’u lënë pa shpjegim. Kush po përdor kë? Cili emision, cili transmetim apo cila thirrje e mbështet këtë pretendim?
Kërkesa për emra dhe fakte
“Unë nuk gënjej” nuk mjafton si garanci publike. Sidomos kur pasohet nga pohimi “nuk i them të gjitha”. Në këtë rast, pjesa e pathënë është pikërisht ajo që duhet sqaruar: identiteti i të akuzuarve dhe faktet mbi të cilat mbështetet akuza.
Zoti Kryeministër, nëse e dini se cilat ekrane janë të korruptuara, thuajini emrat dhe paraqisni provat.
Publiku ka të drejtë të dijë nëse po denonconi korrupsion apo po sulmoni kritikët. Përgjigjja kërkon fakte. Por publiku e di se edhe qeveria juaj ka ndihmuar me çfarë kanë dashur disa pronarë mediash, ndaj nëse do të rrefeheni publikisht thoni emrat.
Burimi: kohajone.com










