Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Kjo është ngjyra që po zëvendëson të zezën këtë sezon

Kjo është ngjyra që po zëvendëson të zezën këtë sezon
Foto: anabelmagazine.com

Ndërsa ditët bëhen më të shkurtra dhe garderoba kalon drejt toneve më të ngrohta, një ngjyrë po kthehet për të marrë vëmendjen që i takon: bordoja. E thellë, elegante dhe me një intensitet që i jep karakter çdo kombinimi, ajo është një nga zgjedhjet më të bukura të sezonit. Pas dominimit të kafesë në veshjet e muajve të fundit, moda po i drejtohet nuancave të verës së kuqe, duke u dhënë kombinimeve të përditshme një pamje më të pasur dhe më tërheqëse.

Bordoja në koleksionet e Miu Miu dhe Chanel

Në koleksionin vjeshtë-dimër të Miu Miu, bordoja shfaqet në veshje të sipërme, duke u përshtatur me estetikën e markës. Bukuria e kësaj ngjyre qëndron pikërisht te aftësia për t’u përshtatur me stile të ndryshme. Një xhaketë bordo mund të krijojë një pamje klasike, ndërsa një çantë lëkure në të njëjtën nuancë i jep një prekje më të veçantë edhe kombinimit më të thjeshtë.

Edhe Chanel e ka përfshirë këtë ngjyrë në koleksionin e ri, duke e sjellë në veshje dhe aksesorë. E lidhur prej kohësh me astarin e çantave ikonike të shtëpisë franceze, bordoja del këtë sezon në plan të parë, duke rifreskuar kodet klasike të markës pa humbur elegancën që e karakterizon.

Pse bordoja është një zgjedhje praktike

Ajo që e bën bordonë kaq tërheqëse është ekuilibri mes ngrohtësisë dhe sensualitetit. Më e butë se e zeza, por më e thellë se kafeja, ajo funksionon si në veshjet e përditshme, ashtu edhe në kombinimet për mbrëmje. Një triko bordo me xhinse krijon një pamje të thjeshtë, por të kuruar, ndërsa një fustan ose fund lëkure në këtë nuancë i jep veshjes më shumë karakter.

Aksesorët janë mënyra më e lehtë për ta provuar këtë trend. Një çantë e strukturuar, një palë çizme të larta, doreza ose një rrip në ngjyrë bordo mund të ndryshojnë tërësisht pamjen e një kombinimi. Mjafton një çantë bordo me xhinse dhe xhaketë për t’i dhënë veshjes një tjetër dimension, ose një palë çizme në këtë nuancë për ta bërë më interesant një fustan minimalist.

Sa i përket kombinimeve, bordoja me të zezën mbetet një nga zgjedhjet më elegante të sezonit. E zeza thekson thellësinë e bordosë, ndërsa kjo e fundit i shton ngrohtësi pamjes. Një triko bordo me pantallona të zeza, një fund lëkure me një bluzë të zezë ose një çantë bordo mbi një kombinim total black janë ide që funksionojnë pa shumë përpjekje.

Për ato që preferojnë të vishen me të njëjtën ngjyrë nga koka te këmbët, kombinimet monokromatike janë një tjetër mënyrë për ta përqafuar trendin. Sekreti është të luani me teksturat: një triko e butë me një fund lëkure, një xhaketë leshi mbi një fustan të rrjedhshëm ose materiale mat të kombinuara me sipërfaqe të shkëlqyeshme i japin pamjes thellësi dhe lëvizje.

Bordoja nuk është thjesht një ngjyrë që shfaqet për pak javë në pasarelat e modës. Ajo ka elegancën e një nuance klasike dhe fleksibilitetin për t’u përshtatur me stile të ndryshme, nga kombinimet minimaliste deri te veshjet më të guximshme. Këtë vjeshtë, mund ta vishni në një pjesë të vetme që bie në sy ose ta bëni elementin kryesor të garderobës suaj.

Burimi: anabelmagazine.com

Të fundit Të gjitha