Të blesh një banesë sot është shumë më e vështirë për një individ, një familje apo një të ri sesa ishte pesë ose dhjetë vjet më parë. Çmimet e apartamenteve kanë ecur shumë më shpejt se të ardhurat familjare, duke e larguar gjithnjë e më tepër mundësinë e blerjes me kursimet e siguruara nga puna e ndershme.
Për t’u bërë pronare e një apartamenti, një familjeje i duhen tani më shumë vite pune ose një kredi me vlerë të lartë.
Raporti çmim–të ardhura në Shqipëri
Një përllogaritje e “Monitor” tregon se, nga viti 2015 në vitin 2025, raporti i çmimeve të banesave me të ardhurat e disponueshme për frymë në Shqipëri u rrit me 76.3%.
Me fjalë të tjera, për të blerë të njëjtën banesë kërkohen sot rreth 76% më shumë të ardhura vjetore se në vitin 2015.
Nëse dhjetë vjet më parë çmimi i një apartamenti përfaqësonte të ardhurat e dhjetë viteve, sot ai do të përfaqësonte të ardhurat e rreth 17.6 viteve. Ky shembull supozon që të gjitha ato të ardhura të shpenzohen për banesën.
“Monitor” e ka nxjerrë këtë tregues duke ndjekur metodën që përdor Eurostat për të matur ndryshimin e raportit ndërmjet çmimeve të banesave dhe të ardhurave familjare.
Për Shqipërinë, të ardhurat e disponueshme bruto të familjeve të publikuara nga INSTAT janë pjesëtuar me popullsinë mesatare të çdo viti, sipas serisë së rishikuar pas Censit 2023.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se të ardhurat e disponueshme bruto për frymë kaluan nga rreth 429 mijë lekë në vitin 2015 në 765 mijë lekë në vitin 2025, një rritje prej 78.4%.
Në këtë tregues hyjnë pagat, por edhe burime të tjera të të ardhurave familjare, pasi ai merr parasysh shpërndarjen dhe rishpërndarjen e të ardhurave në ekonomi.
Për ndryshimin e çmimeve është marrë indeksi Fischer i Bankës së Shqipërisë, i mbështetur në vrojtimin e tregut të pasurive të paluajtshme.
Mesatarja e të dhënave gjashtëmujore tregon një rritje prej 214.4% të indeksit të çmimeve të banesave në periudhën 2015–2025. Kështu, ndërsa banesat janë shtrenjtuar më shumë se trefish, të ardhurat e disponueshme për frymë janë rritur me rreth 78%.
Në përllogaritje janë krahasuar të ardhurat në vlerë nominale me çmimet nominale të banesave. Rezultati tregon si ka ndryshuar përballueshmëria gjatë kësaj periudhe; ai nuk përfshin shpenzimet e tjera të blerjes, interesat apo koston e kredisë.
Në Tiranë, çmimet janë më shumë se dyfishuar në dhjetë vjet
Shifrat për apartamentet në kryeqytet e bëjnë më të qartë përmasën e shtrenjtimit. Sipas Key Data, në vitin 2015 një metër katror apartament në Tiranë shitej mesatarisht për rreth 860 euro.
Çmimi mesatar arriti në 1,038 euro për metër katror në vitin 2020 dhe në rreth 1,950 euro në vitin 2025. Viti 2025 u mbyll pranë nivelit 2100 euro për metër katror, nga rreth 1800 euro në fillim të tij.
Rritja vazhdoi edhe në tremujorin e parë, kur çmimi arriti në 2140 euro për metër katror.
Krahasuar me pesë vjet më parë, çmimi mesatar i apartamenteve në Tiranë është rritur me rreth 88%; në raport me vitin 2015, rritja është 127%.
Me këto çmime mesatare, një apartament prej 100 metrash katrorë do të vlente rreth 86 mijë euro në vitin 2015, 104 mijë euro në vitin 2020 dhe 195 mijë euro në vitin 2025. Për të njëjtën sipërfaqe, kostoja sot është rreth 109 mijë euro më e lartë se dhjetë vjet më parë.
Rritja në Shqipëri tejkalon atë të çdo vendi të BE-së
Çmimet e banesave në raport me të ardhurat janë rritur edhe në vende të tjera, por jo kudo me të njëjtin ritëm. Sipas Eurostat, në Bashkimin Europian ky raport ishte 6.8% më i lartë në vitin 2025 sesa në vitin 2015. Ai u rrit në 17 vende të BE-së dhe u ul në dhjetë të tjera.
Portugalia kryesoi vendet e BE-së me një rritje prej 60.8%. Pas saj renditeshin Holanda me 34.3%, Hungaria me 26.5%, Çekia me 25.8% dhe Spanja me 24.5%. Në anën tjetër, raporti ra me 42.8% në Rumani, me 25.2% në Finlandë dhe me 16.2% në Bullgari.
Rritja prej 76.3% e llogaritur nga “Monitor” për Shqipërinë është më e lartë se shifra e Portugalisë. Në Portugali, shtrenjtimi i shpejtë i banesave është ndikuar nga rritja e fortë e turizmit.
Ky krahasim mbetet orientues, sepse Shqipëria nuk bën pjesë në statistikat e harmonizuara të Eurostat. Për treguesin shqiptar janë përdorur indeksi Fischer i Bankës së Shqipërisë dhe të ardhurat e disponueshme bruto të familjeve për frymë.
Eurostat, ndërkaq, përdor indeksin e harmonizuar të çmimeve të banesave dhe të ardhurat bruto të disponueshme të përshtatura për frymë.
Treguesi nuk përcakton se në cilin vend banesat kushtojnë më shumë. Ai mat sa ka ndryshuar çmimi i tyre kundrejt të ardhurave familjare brenda periudhës së shqyrtuar.
Burimi: www.albeu.com










