Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka kritikuar politikat ekonomike të vendit. Ai vlerëson se Kosova vazhdon të mbetet prapa vendeve evropiane në ekonomi, shëndetësi, arsim, teknologji dhe standardin e jetesës.
Investimet në vend של ndihmat financiare
Abdixhiku ka thënë se orientimi kryesor i politikave shtetërore duhet të jetë rritja e investimeve dhe jo mbështetja e vazhdueshme vetëm përmes ndihmave financiare.
“Do të vazhdojmë të mbesim të fundit në Evropë kështu. Në ekonomi, të fundit në Evropë, shëndetësi, të fundit në arsim, të fundit në teknologji, të fundit si standardin e jetesës. Vite do të kalojnë, do të na rriten edhe më shumë çmimet siç po rriten sot. Do të kemi nevojë për më tepër ndihma për t’i përballuar këto çmime. Dhe këto ndihma kanë për të rritur prapë çmimet, sepse këtë punë ndihmat bëjnë, rrisin konsumin”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka paralajmëruar se kjo qasje rrezikon ta lërë Kosovën pa investimet për të cilat ka nevojë vendi.
“Dhe në fund do të mbesim vetëm me çmime në rritje dhe me nevojë për më tepër ndihma. Dhe në gjithë këtë spirale ekonomike, do të mbesim pa gjënë e vetme për të cilën ka nevojë Republika jonë, pa investime dhe natyrisht me më pak vite jetë”, është shprehur ai.
Kreu i LDK-së ka theksuar se kritikat e tij nuk nënkuptojnë kundërshtim të rritjes së pagave apo ndihmave për qytetarët. Ai ka bërë të ditur se LDK-ja synon koeficientin e pagave prej 150.
“Dhe mos më keqkuptoni. Kjo kritikë vjen nga unë dhe nga LDK-ja që për koeficient page ka synim koeficientin 150. Pra ambicia jonë për paga është shumë e lartë, por ambicia për investime është shumëfish më e lartë. Dhe po, mund të bëhen të dyja. Edhe ndihma, edhe investimet. Por fillimisht shumë më shumë investime sesa ndihma”, ka deklaruar Abdixhiku.
Sipas tij, investimet duhet të jenë prioritet i politikave ekonomike të Kosovës, duke marrë parasysh nevojat në pothuajse të gjithë sektorët.
“Kjo duhet të jetë politika e vendit më të varfër në Evropë. E vendit që ka nevojë për investime gjithandej, madje nuk ka fushë, nuk ka sektor, nuk ka drejtim që nuk ka nevojë për investime drastike në Kosovë. Jemi kesh, jemi shkreh, jemi të fundit në Evropë”, ka thënë ai.
Energjetika dhe infrastruktura
Abdixhiku ka veçuar energjetikën si një prej sektorëve ku, sipas tij, mungesa e investimeve po i kushton shumë Kosovës. Ai ka thënë se vendi vazhdon të shpenzojë qindra miliona euro çdo vit për blerjen e energjisë elektrike.
“Dhe duhet të kemi investime në energjetikë për shembull, sepse çdo vit po blejmë me qindra milionë euro rrymë, blejmë rrymë sepse s’po prodhojmë rrymë. Miliarda euro do të na shkojnë në blerje të energjisë e të tutje, kur mundemi lehtësisht me një pjesë të tyre, të ndërtojmë centrale të reja. Centrali i fundit në Kosovë është ndërtuar në vitin 1982, e para tij në vitin 1964. Kosova, disa vite para se të njerëzit të zbarkojnë në Hënë”, ka deklaruar ai.
Një tjetër sektor ku Abdixhiku ka kërkuar investime është infrastruktura rrugore. Ai ka kritikuar vonesat në përfundimin e projekteve rrugore.
“Duhet të ketë investime në infrastrukturë, rrugë, sepse po bëhen dekada në Kosovë që autoudhat s’po përfundojnë asnjëherë. Marrë e madhe për besë, shumë marrë e madhe që ende flasim për asfalt. Kur veç rrugë bre duhet me shtru. Kur e pyet ministrinë thotë po bëjmë analiza, po me analiza s’shtrohet rruga. Shtrohet me investime, pare dhe me njerëz në kantier, atje në terren, që më pak se gjysmë mandati i përfundojnë të gjitha rrugët e Kosovës”, është shprehur Abdixhiku.
Arsimi dhe teknologjia
Abdixhiku ka kërkuar investime edhe në sistemin e arsimit, duke vënë theksin te nevoja për mësim tërëditor në të gjithë Kosovën.
“Duhet të ketë investime në edukim, sepse pa mësim tërëditor, ta kuptojmë, pa mësim tërëditor gjithandej Kosovës, kemi me marrë në qafë një brez të tonë, fëmijët tanë”, ka thënë ai.
Në fjalën e tij, kreu i LDK-së ka veçuar edhe teknologjinë si një mundësi për Kosovën që të ngushtojë dallimin me shtetet më të zhvilluara.
“Duhet të investojmë në teknologji, se është dritarja e vetme e Kosovës për t’i zënë shtetet që janë dekada larg prej nesh. A kuptojmë sot ne që me këtë trend, me këtë strukturë ekonomike, do të na duhen 80 vite, 80 vite, për të arritur mesataren e Bashkimit Evropian? Jemi popull i ri në moshë, në Evropë, më i riu në Evropë, po i përcjellim trendet moderne të teknologjisë si të dorëzuar para kohe. A jemi të vetëdijshëm se kështu nuk kemi kah? 80 vjet për të dalë nga fundi në mes të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Abdixhiku.
Turizmi
Kryetari i LDK-së ka përmendur edhe turizmin si sektor me potencial për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai ka thënë se vendi ka pasuri natyrore që mund të shfrytëzohen përmes investimeve dhe krijimit të komplekseve turistike.
“Duhet investime në turizëm, sepse kemi pasuri natyrore që duhet të hapen për këto investime. Malet pa investime për besë na duhen. Brezovica po na pret. E ne s’jemi në gjendje si shoqëri, tash e 28 vjet në liri, me bërë një kompleks të vetëm turistik. Që është kjo mungesë ambicie kështu”, shtoi Abdixhiku.
Burimi: www.gazetaexpress.com










